-sidi education-spot_img
1.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Të akuzuar për spiunazh, Rusia do të dëbojë 6 diplomatë britanikë

Kryesoret

Autoritetet ruse akuzuan gjashtë diplomatë britanikë për spiunazh dhe thanë se ata do të dëbohen, ndërsa tensionet midis Moskës dhe Perëndimit rriten mes thirrjeve nga Ukraina për të hequr kufizimet për përdorimin e armëve amerikane dhe britanike për të goditur brenda Rusisë.

Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB) tha në një deklaratë në internet të premten se është vendosur tërheqja e akreditimeve të diplomatëve dhe televizioni shtetëror rus citoi një zyrtar të ketë thënë se ata do të dëbohen.

Njoftimi u bë ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer viziton Uashingtonin për bisedime me Presidentin Joe Biden gjatë të cilave pritet të diskutohet edhe kërkesa e Ukrainës për të përdorur armët perëndimore kundër objektivave brenda Rusisë.

Kryeministri Starmer tha gjatë rrugës për në Shtetet e Bashkuara se Britania nuk “kërkon konflikt me Rusinë”.

“Rusia e filloi këtë konflikt. Rusia sulmoi ilegalisht Ukrainën. Rusia mund ta përfundojë këtë konflikt menjëherë”, u tha ai gazetarëve.

“Ukraina ka të drejtën e vetëmbrojtjes dhe ne padyshim që kemi qenë absolutisht, plotësisht në mbështetje të së drejtës së Ukrainës për vetëmbrojtje. Ne po ofrojmë stërvitje, siç e dini. Por ne nuk kërkojmë ndonjë konflikt me Rusinë. Ky nuk është aspak qëllimi ynë”, tha ai.

FSB-ja tha se mori dokumente që tregonin se diplomatët ishin dërguar në Rusi nga një divizion i Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar “detyra kryesore e të cilit është t’i shkaktojë një disfatë strategjike vendit tonë” dhe se ata ishin të përfshirë në “mbledhje të informacioneve të zbulimit dhe veprimtari subversive”.

Bazuar në këto dokumente dhe “në përgjigje të hapave të shumtë jomiqësorë të Londrës”, ministria e Jashtme ruse tërhoqi akreditimin e diplomatëve, tha FSB-ja, pa i identifikuar ata. Shërbimi rus paralajmëroi se nëse zbulohet se diplomatë të tjerë po kryejnë “veprime të ngjashme”, agjencia “do të kërkojë përfundimin e hershëm të misioneve të tyre” në Rusi.

Televizioni shtetëror rus tha në një raport se gjashtë diplomatët ishin takuar me media të pavarura dhe grupe të të drejtave që janë shpallur “agjentë të huaj”, një përcaktim që autoritetet ruse e kanë përdorur në mënyrë aktive kundër organizatave dhe individëve me qëndrime kritike ndaj Kremlinit.

As ambasada britanike në Moskë dhe as ministria e Jashtme britanike nuk i komentuan njoftimet.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, tha në një deklaratë në internet se “pajtohemi plotësisht me vlerësimet e aktiviteteve të të ashtuquajturve diplomatë britanikë të shprehura nga FSB-ja ruse. Ambasada Britanike ka shkuar shumë përtej kufijve të përcaktuar nga Konventat e Vjenës”. Ajo tha se diplomatët po kryenin “veprime subversive që synonin të shkaktonin dëm për popullin tonë”.

Dëbimet e diplomatëve perëndimorë që punojnë në Rusi dhe diplomatëve rusë që punojnë në vendet perëndimore, janë bërë gjithnjë e më të zakonshme që kur Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Agjencia ruse e lajmeve RBC tha vitin e kaluar se vendet perëndimore dhe Japonia dëbuan gjithsej 670 diplomatë rusë midis fillimit të vitit 2022 dhe tetorit të vitit 2023, ndërsa Moska dëboi 346 diplomatë të huaj.

Në maj, Britania e Madhe dëboi atasheun ushtarak të Rusisë në Londër, duke pretenduar se ai ishte një oficer i padeklaruar i zbulimit dhe mbylli disa prona diplomatike ruse në Britani, që sipas saj po përdoreshin për spiunazh. Rreth një javë më vonë, Rusia u përgjigj dhe dëboi atasheun ushtarak britanik./VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit