Në prag të miqësores me Izraelin, një nga lojtarët e Kombëtares shqiptare ka folur për atmosferën në ekip dhe fillimin e një cikli të ri me trajnerin Rolando Maran.
Ai ka theksuar se skuadra po përshtatet me idetë e reja dhe se synimet mbeten të larta, pavarësisht kohës së shkurtër për përgatitje dhe ndryshimeve në grup.
“Kemi objektiva të qarta dhe po përpiqemi të arrijmë gjëra që më parë dukeshin të vështira. Jemi një bazë e njëjtë lojtarësh, me disa afrime të reja dhe me një staf të ri, ndaj normalisht kërkohet kohë për t’u përshtatur.
Çdo trajner ka idetë e veta dhe ne po mundohemi t’i kuptojmë sa më shpejt. Sa më shumë kalon koha, aq më mirë bëhemi si skuadër.
Nuk është e lehtë në fund sezoni, por motivimi është i lartë dhe konkurrenca për një vend në Kombëtare është e madhe. Edhe Izraeli është një kundërshtar i fortë, por ne synojmë gjithmonë më lart dhe objektivi ynë mbetet kualifikimi në turnetë e mëdha,” u shpreh lojtari.









