-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

A do të bëjë koalicion Albin Kurti? Kulisat dhe prapaskenat

Kryesoret

Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë po afrohen, mundësia e koalicioneve pas tyre nuk përjashtohet. Glauk Konjufca, “krahu i djathtë” i Albin Kurtit kishte parashikuar që VV do t’i heqë vijat e kuqe më 2025, pasi mund të mos e fitojë numrin e njëjtë të votave.

Në anën tjetër subjektet opozitare PDK, LDK, AAK e NISMA i kanë vënë në ballë kandidatët me të cilët synojnë të qeverisin nga viti i ardhshëm.

Çdo rënie e VV’së imponon koalicion dhe pazar për postin e Kryeministrit të cilin Kurti e synon përsëri. Pak ditë më parë, Vjosa Osmani çoi mesazh se ajo kishte gati gjysmën e hises në fitoren masive të para 4 viteve. Kohë kanë dhe partitë politike po përgatiten për zgjedhje. Disa thonë se tashmë janë gati.

Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të shënojnë fundin e kësaj qeverie. Opozita thotë se atë të dielë do të shënohet edhe fundi i kësaj qeverisjeje. Synimi i partive opozitare është që pushteti të mos jetë më në duar të Lëvizjes Vetëvendosje, apo të paktën jo krejtësisht në duar të saj.

Kryeministri Albin Kurti tha të dielën se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 (50.28%), që ia mundësoi të qeveris pa koalicion, duhet “të përsëritet e të tejkalohet”. Por në partinë e tij nuk e kanë hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni pas tyre.

“Nuk kemi pasur asnjëherë më shumë kohë për t’u përgatitur për zgjedhje se sa tani. Nuk kemi pasur asnjëherë më shumë mbështetje nga populli sesa tani. Andaj edhe rezultati i shkurtit 2021, duhet të përsëritet e të tejkalohet”, tha Kurti në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Grave për Vetëvendosje, ku u diskutua për “organizimin, nevojat e pritshmëritë”.

Ndërsa Kurti angazhohet që të tejkalohet rezultati, “dora e djathtë” e tij, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kishte bërë një “parashikim” rreth rezulatit që VV mund ta korrë më 2025 dhe për pasojë s’përjashtonte koalicionet me PDK’në ose LDK’në

“Mund të them një parashikim, një ngjarje të mundshme që do të ndodhë. Në vitin 2025 VV mund të mos fitojë 50.2%. Mund të them kështu. A është e mundshme kjo? Nëse është e mundshme Kosova mund të hyjë në ciklin e ardhshëm zgjedhor me një koalicion”, kishte thënë Konjufca në janar të vitit 2022 në Emisionin Pressing të T7.

Po aty Konjufca kishte thënë se VV nuk do të ketë “vija të kuqe” për subjektet tjera politike dhe mund të futet në koalicion me to për të krijuar qeverinë.

Duke folur për koalicionet me PDK-në në disa komuna në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Konjufca kishte përmendur “transformimet që kanë pasur këto parti pas zgjedhjeve nacionale që u mbajtën më 14 shkurt 2021”. Ndërsa kishte pranuar se VV mund të mos fitojë përsëri bindshëm si më 2021.

Ndërsa Qeveria e ka shpenzuar shumicën e mandatit dhe i ka mbetur pak kohë për përmbushjen e premtimeve, Kurti po flet vazhdimisht se si shteti u pasurua dhe u zhvillua me të në krye.

Partitë opozitare e kanë shtuar angazhimin, ndërsa diskursi i qeveritarëve është bërë më elektoral në vitin e fundit të Qeverisë së LVV-së.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, që është edhe kandidat i këtij subjekti për Kryeministër tha të premten se në partinë e tij ka “entuziazëm e gatishmëri” për zgjedhjet.

“Na pret një fushatë e bukur përpara. Jemi gati dhe jemi një! Dhe një gjë është e sigurtë që tani – të djathtit e LDK-së janë bashkë, të fortë dhe në këmbë! Kushtrimi po bie në Kosovë!”, shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook, ku njoftonte për një vizitë në Viti, ku kjo parti hapi zyret e reja.

Në një postim tjetër, Abdixhiku shkruante se Kosova meriton më mirë. “Jemi pak muaj larg ndryshimit të madh. Më 9 shkurt do ta bëjmë këtë ndryshim të madh bashkë” thoshte ai.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza kërkon që 9 shkurti 2025 “të jetë dita kur fillon një kapitull i ri për Kosovën”, siç tha më 16 gusht, kur presidentja shpalli datën e zgjedhjeve.

Të premten që shkoi anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës i dhanë mbështetjen e “plotë Kandidatit për Kryeministër, Bedri Hamza, në raport me punën dhe programin e tij qeverisës”

“Partia Demokratike e Kosovës, me 9 shkurt të vitit 2025, në zgjedhjet e reja parlamentare në vend, përmes kandidatit të saj Bedri Hamza, ofertës së tij programore dhe listës së kandidatëve për deputetë, do t’i jap vendit një Qeveri të re që rikthen shtetin në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik” u tha në njoftimin pas përfundimit të takimit.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës po mobilizohen. Ata kishin kërkuar dorëheqjen e Qeverisë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, të bindur se pas tyre Kurti s’do të jetë më kryeministër. Për qeverisjen e ardhshme të LDK’së në krye me Abdixhikun foli edhe ish-kryeministri nga radhët e saj.

“Është forcuar besimi në vlerat politike e tradicionale të LDK-së, në veçanti për shkak të qeverisjes aktuale pa asnjë rezultat, e cila e ka izoluar vendin, ka penguar zhvillimin ekonomik dhe ka bllokuar integrimin euro-atlantik të Kosovës. Jemi të vendosur e të përgatitur për të arritur tek secila familje për të kërkuar besimin për qeverisjen e ardhshme të Republikës së Kosovës”, shkroi Hoti në një postim në Facebook.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në koalicion me Nismën, synon të marrë rezultat të mirë në zgjedhjet e ardhshme.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se “po vjen koha e ndryshimit”, duke premtuar kthimin e Kosovës “në mesin e shteteve normale”.

Po ashtu, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha të dielën se ata do të jenë “befasia e këtyre zgjedhjeve”.

Në mes të partive politike, Vjosa Osmani do ta presë vitin 2026 për të marrë vendim nëse do të kandidojë edhe për një mandat të presidentes. Në prill të atij viti do t’i përfundojë ky mandat.

“Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë”, tha së fundmi ajo, si për të paralajmëruar një betejë të ardhshme kundër Kurtit, ish-aleatit të saj me të cilin nuk ka më marrëdhënie të mira.

Nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Osmani kishte dalë personi më i votuar, me mbi 300 mijë vota dhe nuk heziton ta përmend këtë edhe tash.

Fitorja bindëse prej 50.28% të votave në zgjedhjet e fundit, që në partinë nuk e heqin nga goja, Osmani tha se ishte “rezultat i përbashkët”.

E pyetur në një intervistë në “Kallxo Përnime” se a do të hidhërohej nëse partia e Kurtit nuk do ta mbështeste që të qëndrojë presidente edhe për një mandat, ajo tha: “Jo sepse edhe kandidimi nuk ka qenë i Vetëvendosjes herën e kaluar, ka qenë i përbashkët, dorën në zemër”.

“Kur patëm kandidu ndaras, unë i pata marrë diku 200 mijë vota, 225 mijë, por kur u bashkuam pastaj i bëmë 440 mijë vota. Pra, ajo çka po them unë është që ajo ka qenë forcë e përbashkët, rezultat i përbashkët. Rrjedhimisht edhe ne të dy kemi qenë në krye të fushatës, kandidatë për president dhe kryeministër. Pra, e kemi përkrahë njëri-tjetrin. Sepse kur po përkthehet ‘jo ty të ka përkrahë Vetëvendosja’.. po kadale se reciproke ka qenë kjo gjë. Reciproke ka qenë kjo gjë”, ka thënë Osmani.

Presidentja, e cila nuk po i fsheh më mosmarrëveshjet me kryeministrin, të cilat nisën prej çështjes së përfaqësimit të vendit në samitet e forumet e ndërkombëtare, konfrontimi i drejtpërdrejtë, e deri te mungesa totale e komunikimit, thotë se po e bën “punën më të mirë në interes të qytetarëve dhe të vendit” dhe të pamundurën që “interesi i popullit të Kosovës të mbrohet brenda dhe jashtë vendit”./ Ekspres

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit