Sali Berisha ka akuzuar kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe kryeministrin Edi Rama se marrin rrogë sa 40 pensione të zakonshme në muaj.
Në një tubim, Berisha kritikoi këtë situatë, duke theksuar pabarazinë ekstreme ndërmjet pagave të larta të zyrtarëve dhe pensioneve të ulëta.
Ai e akuzoi qeverinë për trajtim cinik ndaj pensionistëve dhe për shpërdorim të fondeve publike.
“A merrni vesh pra, a mund të quhet kjo trajtim njerëzor?
A nuk ka më çnjerëzor se ky trajtim?
Pensionisti gjerman, apo punëtori gjerman, ka shërbimin shëndetësor të garantuar sepse qeveria gjermane nuk u tha kurrë gjermanëve se do e keni falas.
Ka ilaçet që nuk mungojnë. Që veprojnë.
Pensionisti shqiptar nuk i merr dot ilaçet se çmimet në Shqipëri të ilaçeve janë më shtrenjtë se në Gjermani, se në Greqi, se në Itali.
Pensionisti shqiptar, me të cilin u tall në mënyrë cinike, të pashpirt Edi Rama me 4 përqind rritje, vuan për kafshatën, vuan për ushqimet.
Ndërkohë, kryetarja e parlamentit me kryehajdutin e qeverisë marrin rrogë sa 40 pensione në muaj.
A ka pabarazi më ekstreme se kjo?
Dhe në vend se më së paku të dyfishonin pensionet, siç ishte premtuar, u katandis në rritjen më cinike, në përçmimin 4 përqind.
Unë mund t’u listoj ju jo një, po dhjetëra çmime ushqimesh bazë dhe mallrash të tjera të përditshme, çmimet e të cilave vetëm dy vitet e fundit janë rritur me 10-15-20 përqind.
Po pse ky cinizëm?
Pse ky qëndrim i pashpirt ndaj këtyre njerëzve që u shkrinë për këtë vend?
Ndaj këtyre njerëzve që u kaloi rinia në mjerim?
Kjo sepse Erion Veliaj me Edi Ramën vjedhin dhe zhdukin 130 milionë euro për djegësin e Tiranës.
Kjo sepse me një të rënë të lapsit, Lubi Balluku dhe Edi Rama vjedhin 50 milionë euro në tunelin e Llogarasë, tunelin e ndërtuar me 65 mijë euro për frymë investim, që nuk e ndërton kush në botë, por që na duhej të vidhnim 50 milionë euro.
Kjo sepse Edi Rama me ‘Ismailin’ e tij shpenzon në dy vite dy herë më shumë se presidenti i SHBA në udhëtime jashtë shtetit. Se kancelari i Gjermanisë. I çmendur pas udhëtimeve për të transportuar gjëra që vetëm ai e di, ai shpenzon 21 milionë euro në 141 udhëtime zyrtare dhe private dhe vendos instilacionin 4 milionë euro në oborrin e selisë së tij sikur të ishte oborri i familjes së tij.”, u shpreh Berisha.