-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kohë lufte! Sa tanke dhe avionë kemi? Ushtaraku te 5Pyetjet.al: Duhet përgatitje, por nuk kemi vizion të qartë

Kryesoret

Foto Duro, ushtaraku që ka shërbyer për rreth 35 vjet në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, me disa specializime në SHBA dhe Britani, që ka mbajtur detyra mjaft të rëndësishme në një intervistë për “5Pyetjet.al” shprehet se fakti që jemi në NATO nuk është e mjaftueshme, por duhet të investojmë për mbrojtjen. Tani po e nisim nga zeroja me industrinë ushtarake, por a jemi pak vonë?

Nuk është se e nisim nga zero, sepse industria ushtarake nuk është gjithçka. Ka një reformë të gjithanshme në FA, ka një doktrinë, jemi në NATO. Jemi në një pozitë relativisht të favorshme, por nuk është e mjaftueshme. Agresioni rus në Ukrainë tregoi se lufta mund të ngjallet në zemër të Europës menjëherë, që ishte e paimagjinueshme disa vite më parë. Kreu i komitetit ushtarak të NATO-s gjenerali Bauer pak kohë më parë kishte alarmuar në kuptimin figurativ një numër autoritetesh me deklaratën e tij se lufta me Rusinë është e mundshme në një të ardhme të afërt. Pra ne duhet të përgatitemi për luftën.

Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe neni 5 i kartës thekson se agresioni ndaj një vendi konsiderohet agresion ndaj të gjithë NATO-s, por kjo nuk është e mjaftueshme. Edhe vendimmarrja në NATO për të ndërhyrë për të krijuar grupin ushtarak kundërveprues kërkon kohë, zakonisht llogaritet rreth 48 orë. NATO nuk ka trupa të vetat, janë të vendeve anëtare, gjermane, amerikane, letoneze, etj. Janë këto shtete që duhet të marrin vendimin në parlamentet e tyre për kundërveprimin ndaj agresorit” tha ai.

Por sa kohë duhet për të prodhuar fishekun e parë në Shqipëri me ringjalljen e industrisë ushtarake? Zoti Duro thotë se industria e re do të ketë formën e një lloj fasonerie.

Lajmin e prita me ndjenja të përziera, kënaqësi dhe skepticizëm. Çdo hap për kapacitetet prodhuese është i mirëpritur nga çdo shqiptar. Ne aktualisht prodhojmë shumë pak në Shqipëri. Pse skepticizëm? Pavarësisht se ish-ministri Peleshi në komisionin e Sigurisë tha para pak muajsh se ka një para-fizibiliet, studim nga një agjenci e NATO-s, ku ka të dhëna inkurajuese që kjo ndërmarrje mund të jetë e suksesshme. Unë mendoj se ka shumë sfida përpara për ringjalljen e industrisë.

Nuk kam parë një filozofi. Përpara kishim filozofinë për të furnizuar një ushtri prej 600 mijë dhe mendohej se do të luftohej për një luftë të gjatë me rrethim. Shteti asokohe kishte ngritur uzinat dhe atëherë prodhohej dhe tregtohej edhe jashtë. Cila do të jetë filozofia sot? Do të furnizojë ato 8500 ushtarë që kemi, rreth gjysma janë ushtarë, ndoshta në këtë shifër janë përfshirë civilët.

Por ta marrim të mirëqenë këta 8500. Këta janë të pajisur tani. Municion kanë. Mund të kenë nevojë. Nëse do të ngrihej industria ky municion për këta mund do të prodhohej shumë shpejt atëherë çfarë do të bëhej me këto uzina? Është e nevojshme të shtrohet çshtja. Ndoshta politikanët dinë diçka më shumë se ne, por që deri tani nuk është thënë. Thuhet se vendosim në dispozicion kapacitetet tona, por çfarë ka atje? Vetëm rrënoja.

Baza është shkatërruar, por edhe teknologjia ka ecur dhe nuk mund të shërbejë për proceset e sotme. Unë gjykoj që do të ishte me interes të tërhiqej investitori i huaj, gjysmë shtetërore dhe gjysmë private. Investitori duhet të jetë nga vendet aleate dhe të jetë me kooperim. Do të ketë formën e një lloj fasonerie. Nuk ka asgjë të keqe, por e gjykoj jo shumë të prekshme si iniciativë”.

Ushtaraku është skeptik edhe në një tjetër pikë. “Qeveria shqiptare ka vendosur si afat vitin 2030 për vitalizimin e kësaj industrie, por duke pasur parasysh ankthin që ka krijuar në Europë lufta Ukrainë-Rusi. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s deklaroi para pak kohësh se lufta në Ukrainë është kthyer në luftë municionesh.

Shtetet anëtare po zgjerojnë kapacitetet e tyre. Në 2030 industria ushtarake shqiptare do të jetë aq e dëshirueshme, aleatët tanë do të kenë aq shumë nevojë për furnizimet, armatimet shqiptare? Nuk besoj. Nga ana tjetër është thënë që industria do të prodhojë armatim të lehtë. Por lufta sot zhvillohet edhe me armatim tjetër.

Në Ukrainë mbi 50% e humbjeve nga palët është nga artileria, që tregoi vendin e saj në luftim, ne në forcat shqiptare kemi vetëm një bateri, rreth gjashtë gryka zjarri. Artileria, tanket, dronët, raketat kundër tankeve, avionëve, dominimi i ajrit. Të gjitha këto janë disa detyra shumë të mëdha dhe janë përtej mundësive të një industrie shqiptare qoftë edhe të zhvilluar me kapacitete të plota”.

Po cfarë niveli jemi ne aktualisht me armatimet? “Ne një pjesë të mirë të armatimit të nevojshëm nuk e kemi dhe nuk kemi plotësuar disa prej objektivave të NATO-s, më i famshmi batalioni i grupit që shkonte deri në një mijë veta.

Ky batalion duhet të lëvizte në makina luftarake të blinduara të cilat hapin zjarr me topin e tyre nga frëngjitë, por një mjet i tillë është 2-4 milionë euro copa. Ne nuk kemi asnjë deri në këto momente. Ne na mungon mbështetja me zjarr nga artileria”.

Më tej, zoti Duro e vendos theksin tek mungesa e kapaciteteve të kundërveprimit ndaj përdorimit të armëve të përdorimit në masë.

Por në një pamje më praktike ne na mungojnë disa kapacitete të kundërveprimit ndaj përdorimit të armëve të përdorimit në masë. Këtu nuk e kam fjalën domosdoshmërisht për armë bërthamore, edhe për ato, por sidomos për lëndë kimike helmuese dhe bakteriologjike.

Të përfytyrojmë ujësjellësin e një qyteti të madh në Shqipëri që është kontaminuar me lëndë helmuese luftarake apo bakteriologjike. Të përfytyrojmë humbje për të keq dhe ishalla nuk ndodh, humbje mijëra njerëz të vdekur dhe konstatojmë që është kontaminuar ujësjellësi. Por ne nuk kemi forca.

Ne kemi një kompani kimiste në FA, e cila duhet të jetë rreth 100 veta, por nuk është kompletuar është rreth 40-50 veta. Në kohën e regjimit monist kishim 13 mijë veta, kishim nga një kompani kimiste në cdo brigadë, nga një batalion kimist në cdo divizion dhe regjiment kimist që ishin të stërvitur dhe pajisur për t’u marrë me lëndët helmuese luftarake, bakteriologjike, etj”.

I pyetur nëse ka logjikë që nga njëra anë përgatitemi për luftë dhe në anën tjetër i nxjerrim asetet për atraksion turistik, ai thotë se ushtria shqiptare në dokumentin e strategjisë për 10 vitet e ardhshme nuk ka vizion të qartë.

Unë nuk mund të them që ka apo nuk ka logjikë. Është e domosdoshme një qasje strategjike. Duhet një filozofi. Këtë vit u miratua strategjia e sigurisë kombëtare dhe ushtarake 2024 në parlament. Të dyja kishin përmirësime nga dokumentet e mëparshme. Ato janë rinovuar, duhet të rinovoheshin cdo 4-5 vite, po rinovohen cdo 10 vite.

Ka një proces, të themi. Në këto dokumente pavarësisht nga progresi krahasuar me homologët mungon një vizion i qartë se ku do të shkojë ushtria shqiptare në 10 vitet që vijnë. Ka nevojë për vlerësime nga specialistët, se cila nga asetet. Bazat detare, Porto Palermo apo Sazani, a është i domosdoshëm për mbrojtjen shqiptare?

Këtë duhet ta thonë specialistët dhe jo dikush për një konjukturë të caktuar politike dhe pas kësaj asetet e tepërta, që tani nuk besoj se ka më, të pastrohen depot. Di që janë pastruar. Nga 1200 tanke, tani nuk ka më, janë zero. Ku shkoi gjithë ai çelik? 5500 gryka zjarri artilerie, 2500 gryka zjarri artilerie kundërajrore, anije, nëndetëse dhe me radhë. Nëse ishin të vjetruara duhet ta thoshin specialistët dhe në cfarë mase dhe me se do të zëvendësoheshin duhet ta thoshin specialistët.

Kjo nuk po ndodh. Por të dyja, edhe strategjia kombëtare edhe ushtarake u miratuan brenda minutash në parlament pa marrë miratimin alternativ në ditën e fundit të legjislaturës së parlamentit bashkë me 7-8 ligje të tjera. Ndërkohë që strategjia ushtarake është një dokument kaq serioz që duhet t’i nënshtrohej një debati dhe analize shumë ditore me specialistë. Ky është problemi që e vuan ushtria shqiptare dhe me duket do ta vuajë edhe në një kohë edhe në të ardhmen” tha ai.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit