-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pëllumb Nako: Siguria nuk duhet të jetë betejë politike

Kryesoret

Këto ditë kemi hasur në një debat të ashpër lidhur me një drejtues qarku të Policisë së Shtetit. Përplasja filloi në parlament ndërmjet dy krahëve politikë dhe përfundoi në emisione televizive, ku nuk munguan as opinionistët, të cilët si zakonisht të informuar nga burime të besueshme, filluan të japin gjykime mbi figurën e oficerit. Madje më tepër, u konstatua një garë ndërmjet tyre se kush ka më shumë e kush më pak informacion “nga brenda”. Mungoi sondazhi pro dhe kundër oficerit, për të mos folur për ndonjë referendum të mundshëm. E gjitha kjo zhurmë u fillua tërësisht në mënyrë të gabuar në parlament dhe më pas, po aq pa vend zuri vend në komentet e analistëve. Debate të tilla ndodhin rëndom. Dhe kjo, pasi duke qenë se çështja e sigurisë (jo thjesht e sigurisë publike) është temë shumë e ndjeshme për masën e gjerë të popullatës, tradicionalisht dhe në vazhdim, klasa politike shqiptare e ka konsideruar sigurinë e qytetarëve si një fushë beteje për të marrë vota e përkrahje sa më të gjerë elektorale apo për të denigruar kundërshtarin. Dhe në një betejë politike, nuk mungojnë as goditjet e ulëta, as kurthet për të vënë poshtë kundërshtarin duke përdorur me këtë rast si argument çështje të sigurisë në përgjithësi apo edhe emra të veçantë drejtuesish të institucioneve të tij. Nëse në raport me sigurinë e brendshme, tërë klasa politike do të udhëhiqej nga parime apo koncepte bashkëkohore me vlerë të vërtetë për një shoqëri demokratike, debate si ai për oficerin e lartë të policisë, nuk do të kishin ndodhur dhe nuk duhet të ndodhin.

PËRSE KËSHTU?

Fakt i njohur gjerësisht për politizimin e sigurisë janë edhe programet elektorale të të gjithë spektrit politik me peshë në vend. Programe këto ku vihet në dukje se sa shumë e ka në qendër të vëmendjes sigurinë e qytetarëve njëri krah dhe sa pak e ka tjetri. Më pas vazhdohet me propozime të ofruara nga secila palë. Por në fakt të gjitha programet politike për sigurinë të propozuara, në thelb nuk ndryshojnë sepse nuk mund të jetë ndryshe. Dhe si përfundim, çdo palë kur vjen në pushtet, e vetmja gjë që bën, është ndryshimi i ligjit për Policinë e Shtetit. Ndërkohë vetë siguria për qytetarët pak më shumë e pak më pak, mbetet me standarde të njëjta. Ligji i cili normon punën e Policisë së Shtetit, është ai që në listën e ligjeve të të gjithë historisë së Shqipërisë është më i rrëzuari dhe më i rihartuari. Edhe ndërmjet viteve, pasi është hartuar e më pas abroguar, ai është kampion për arnime të shumta, që në finale përfundojnë përsëri me një ligj tjetër.

A KANË NDRYSHIME KËTO LIGJE NGA NJËRI-TJETRI?

Pak ose aspak. Ata kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të ndryshojnë vetëm në disa aspekte organizimi, që herë bashkojnë e herë ndajnë struktura operacionale. Po ashtu, edhe në raport me rekrutimin e personelit dhe sidomos në lidhje me disiplinën brenda radhëve të saj. Edhe këto ndryshime bëhen ciklike në formë bërjesh e zhbërjesh. Ndërkohë, në tërësi, e gjithë doktrina mbi të cilën mbështeten njëri pas tjetrit këto ligje mbetet tërësisht e paprekur. E njëjtë, ajo ekziston tashmë prej shumë dekadave. Kjo do të thotë se ligji duhet të ndryshohet vetëm nëse është pikërisht filozofia, apo doktrina e policimit ajo që mund dhe duhet të ndryshojë dhe që duhet të zbatohet. Dhe kjo filozofi nuk ka as karakter politik dhe nuk mund t’i përkasë as krahut të majtë, as të qendrës dhe as të së djathtës politike. Duke u politizuar, as doktrina e as filozofia e sigurisë nuk gjen zbatim. Ndryshimi i ligjit, përdoret rregullisht jo për të perfeksionuar zbatimin e një filozofie demokratike të sigurisë, apo për të materializuar një filozofi më bashkëkohore, por për të ndryshuar personelin. Kjo, sepse në kushtet e një shoqërie shqiptare me konsensus të gjerë për fenomene të ndryshme negative, me to molepsen jo pak edhe punonjës policie. Pa llogaritur këtu emërimet apo shkarkimet e personelit me profil besueshmërie politike.

PËRSE NUK DUHET VEPRUAR KËSHTU?

Çështjet e sigurisë në kuptimin e saj më të gjerë, pra jo thjesht ruajtja e integritetit fizik dhe mbrojtja e pronës së individit dhe shoqërisë, por garantimi i të gjitha lirive themelore të individit dhe zhveshja e tij nga frika nuk mund të jenë as të majta e as të djathta për faktin se në raportin me shtetin e së drejtës, ato janë themele mbi të cilat ndërtohet demokracia e një vendi. Pra, respektimi dhe garantimi i sigurisë si kushti pararendës i lirisë së individit nuk mund të jetë as pronë e socialistëve dhe as e demokratëve në Shqipëri. Jemi përballë një të drejte universale mbi të cilën ndërtohet vetë shteti demokratik dhe që njëkohësisht përbën shtyllën e vetë ekzistencës të së majtës dhe të djathtës politike. Siguria e qytetarit, gjithmonë në konceptin e saj të gjerë, është një nevojë parësore dhe universale e shoqërisë. Siguria e qytetarëve apo nevoja e tyre për siguri përbën kusht paraprak për çdo aktivitet njerëzor dhe ky kusht nuk është as i majtë e as i djathtë. Bëhet fjalë pra për kushtin bazë në ndërtimin e një shoqërie të qetë, pa tensione civile, në qendër të së cilës, secili individ mund të zhvillojë jetën e tij personale, profesionale, politike e shoqërore, argëtimin e aktivitete të tjera njerëzore. Në këtë kontekst mund të thuhet se në kontekstin e një shoqërie të se drejtës, nuk mund të ketë siguri në rast se kjo e fundit kthehet në një betejë përfitimi politik.

ÇFARË KËRKOHET?

Një klasë politike e civilizuar që të ketë të njehsuar dhe të ngulitur thellë në aksionin e saj, që siguria është e para nga liritë e individit. Ky parim kërkon depolitizim të saj që do të thotë të mos përdoret thjesht për përfitime politike apo abuzime elektorale. Po ashtu, lidershipi politik të mos i përdorë institucionet e sigurisë për të rritur peshën e tij politike. Vetëm më pas mund të pretendohet për depolitizim të policisë. E kundërta është vetëm demagogji. Në themel të ndërtimit të doktrinës së mësipërme, klasa politike shqiptare duhet të ketë të ndërtuar në mënyrë solide një pakt të njëjtë me atë të quajtur “kontratë sociale” të Volterit, sipas të cilit, shteti punon për qytetarët, ndërsa qytetarët respektojnë dhe nuk e pengojnë shtetin në punët e tij të përditshme. Në kontekstin e sigurisë në Shqipëri ky pakt duhet të jetë urgjent dhe të parashikojë që shteti të mos e përdorë policinë si instrument që shkel liritë e njeriut, pra që nuk garanton siguri, të mos kërkojë përfitime politike, të respektojë realisht meritën si të vetmen rrugë për menaxhimin e institucioneve dhe nga ana e saj, opozita të mos i shohë çështjet e sigurisë si beteja politike, as të abuzojë me pozitën e saj. Në një kontekst më operacional, çështjet e sigurisë publike duhet të kenë vazhdimësi dhe jo përmbysje e rifillim pas çdo rotacioni apo nga ministri në ministër të së njëjtës forcë politike. Siguria duhet të mbetet jashtë përfitimeve politike, por brenda debateve me objektiv garanimin e plotë të saj. Ndryshe nga paraardhësit e tij, duket se ministri i ri i Brendshëm është në logjikën e depolitizimit të sigurisë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit