-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Serbia para pasqyrës së vjetër

Kryesoret

Masat e reja të Serbisë karshi Kosovës, në rastin më të mirë, janë material ushtrues deri në themelimin e Komisionit të ri Evropian dhe zgjedhjet presidenciale amerikane. Në rastin më të keq paralajmërojnë të gjithë – Kosovën, Komisionin e ri Evropian, administratën amerikane – se Serbia, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga dialogu e Marrëveshja e Ohrit, po i afrohet gjithnjë e më shumë pasqyrës më të keqe të vetes, asaj të viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

1.

Lexova masat e reja të politikës serbe ndaj Kosovës të propozuara nga presidenti Vuçiq dhe të përkrahura nga Qeveria e Serbisë si një tekst në të cilin çdokush që ato ditë kur u shkrua hodhi një ide dhe një mendim me jo shumë koherencë. Të mos mbetem i paqartë, s’do mend që në këtë tekst janë angazhuar shumë mendje e dikastere ministrore dhe nuk dyshoj fjalët e presidentit se në këtë tekst kanë punuar që nga qershori i këtij viti. Por, fakti që kanë punuar shumë njerëz në të nuk e bën më koherent, e bën të atillë çfarë është. E, është një tekst i filluar me një premisë të thjeshtë: meqë themi se e përkrahim, por nuk e kemi pranuar Marrëveshjen e Ohrit, e, për më tepër, kemi shprehur rezervimet ndaj saj në letrën e kryeministres Bërnabiq, çka është ajo që mund të bëjmë e që nuk është pranim i Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatim i saj, e që njëkohësisht të duket sikur po e përkrahim?
Dhe kështu, me këtë premisë, fillon pika e parë, kthim në status quo ante, gjendjen e mëparshme. Mbase edhe në këtë pikë çdokush që u gjend andejpari hodhi nga një ide dhe kështu kemi një listë kërkesash për kthim në gjendje të mëparshme, ku nuk është e kuptueshme saktësisht se ku përfundon e kaluara? Në disa pika kërkohen kthimi i gjyqtarëve, prokurorëve e policëve e në disa të tjera “tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga bazat dhe postblloqet e ndërtuara ilegalisht në veri të Kosovës, si dhe tërheqja e tyre nga të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime jetike administrative për qytetarët nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme të tyre, në vitin 2024”.
Në këtë përshkrim kërkesash, përcaktimi i së kaluarës nuk është aq shumë datë sa është kuptim i përmbysur i legalitetit. Pra, në interpretimin e Serbisë, Kosova duhet të kthehet në gjendjen përgjatë çerekshekullit të kaluar, ku prania administrative e Serbisë në Kosovë konsiderohet si gjendje legale, ndërsa prania administrative e Kosovës (qoftë edhe në formën e policisë speciale) quhet jolegale.

2.

Kjo pikënisje fillestare është e gabueshme në dy dimensione thelbësore.  Së pari, është e gabueshme ndaj faktit se Republika e Kosovës e ka shpallur Pavarësinë e saj më 2008, se Serbia e ka kontestuar këtë shpallje me kërkim të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së kësaj shpalljeje, mendim i cili e konfirmoi ligjshmërinë. Pra, nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare, mendimin e së cilës e kërkoi Serbia, polici kosovar është i pranishëm legalisht kudo në territorin e Republikës së Kosovës, zyrtari me vulë të Republikës së Serbisë është i pranishëm ilegalisht kudo në territorin e Republikës së Kosovës.

Së dyti, që nga qershori i vitit 1999, Kosova ka qenë një territor unik me një sistem administrimi unik juridik. Brenda këtij sistemi prania administrative e Serbisë ka qenë jolegale.

Kërkesa për t’u kthyer në gjendje jolegaliteti është jokoherente me kërkesat për kthimin e policëve, gjykatësve e prokurorëve të etnisë serbe në katër komunat e veriut të vendit. Policët e Kosovës me përkatësi etnike serbe do të mund të jenë të tillë pas procesit të rekrutimit e shkollimit në Akademinë Policore të Kosovës dhe do të jenë duke zbatuar të njëjtin ligj të Republikës së Kosovës, të cilin e zbatojnë policët e tjerë në komunat e veriut të vendit, përfshirë edhe ata të policisë speciale. Gjykatësit e prokurorët duhet të zbatojnë rendin juridik të Kosovës, të njëjtin të cilin Serbia e quan jolegal.

3.

Por, jokoherenca e qëndrimeve të Serbisë përshkallëzohet në një terren deri tani të pashkelur, së paku të pashkelur legalisht. Në masat, të cilat tashmë kanë marrë formën e vendimit të Qeverisë së Serbisë, ky shtet do të formojë një prokurori speciale për të ndjekur qytetarë të Kosovës. Shpjegimi i arsyetimit të themelimit të kësaj prokurorie është pak më i gjatë (dhe po ashtu pa mbështetje juridike, ngase pretendon se baza e tij është ajo që themeloi Gjykatën Ndërkombëtare për Krime), por thelbi është se shteti i Serbisë pretendon të kalojë në juridiksion tjetër dhe ky është akt ilegal. Dhe do të veprojë kundër çdo qytetari të Kosovës që ajo konsideron se bën atë që ajo interpreton të jenë “shkelje të dinjitetit dhe integritetit fizik të qytetarëve serbë në Kosovë e Metohi”. Kjo i bie, një polici politike në një status quo ante të viteve 1990-1999. Di nga dora e parë për çfarë po flas, më 1991 jam dënuar me burg nga një gjykatë me shpjegime të ngjashme, sepse u kam prirë demonstratave paqësore, të cilat “trazuan ndjenjat e qytetarëve serbë dhe malazezë të Kosovës”.

Vitet nëntëdhjetë nuk janë koincidencë e rastësishme. Masa pasuese e Qeverisë së Serbisë është shpallja e “pavlefshmërisë së akteve juridike të njëanshme dhe të pakoordinuara të Prishtinës”. Qeveria shpjegon se “ne do t’i shpallim të pavlefshme të gjitha aktet juridike të njëanshme, të nxjerra nga Prishtina, pasi këto veprime nuk mund të prodhojnë efekte juridike sipas së drejtës ndërkombëtare dhe bien ndesh me dispozitat e Ligjit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut”. Presidenti Vuçiq ndërkaq shpjegoi se “Kuvendi i Serbisë brenda 45 ditëve do të miratojë vendim me të cilin do të konstatohet paligjshmëria e të gjitha organeve dhe institucioneve të krijuara në territorin e Kosovës dhe Metohisë pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë, si dhe mosekzistenca e akteve të tyre”.

Ngjashëm bëri Kuvendi i Serbisë në korrik të vitit 1990, kur pezulloi Kuvendin e Kosovës dhe veprimet e veta juridike. Asokohe ishte vepër agresioni, këso kohe është paralajmërim i agresionit.
Në intermexo, është edhe arsyetim i veprimeve të grupit paraushtarak të M.Radoiçiqit. Nëse Kuvendi i Serbisë i shpall të paligjshme aktet juridike të institucioneve të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë, atëherë i bie që Milan Radoiçiqi dhe grupi i tij paraushtarak kanë qenë në Kosovë për të mbrojtur ligjshmërinë. Siç kanë qenë edhe grupi i barrikadave që rrahu ushtarët e KFOR-it, duke lënduar rëndë disa prej tyre.

4.

Mishmashi juridik e politik që përfaqësohet në masat e Serbisë, në rastin më të mirë do të mund të ishin material për ta mbushur kohën e dialogut dhe diplomacisë serbe deri në vendosje të Komisionit të ri të BE-së dhe fundin e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Brenda rastit më të mirë, Kosova e bashkësia ndërkombëtare do t’ia vlente të merreshin me ato që janë të mundshme, si për shembull fillimi i përgatitjes që në tetorin e vitit të ardhshëm, kur mbahen zgjedhjet komunale në Kosovë, ato të mbahen në formë të lirë e të ndershme për herë të parë edhe në katër komunat e veriut.

Në rastin më të keq, masat e Serbisë paralajmërojnë të gjithë – Kosovën, Komisionin e ri Evropian, administratën amerikane – se Serbia, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga dialogu e Marrëveshja e Ohrit, po i afrohet gjithnjë e më shumë pasqyrës më të keqe të vetes, asaj të viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë, një “status quo ante”, të cilën nuk besoj se do ta duan as ata vetë./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit