Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Bruksel, ku kërkoi statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe heqjen e masave restriktive.
Sipas njoftimit për media, Kurti e përgëzoi Von der Leyen për rizgjedhjen dhe shprehu gatishmërinë për të avancuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen”, thuhet në njoftim.
Kurti theksoi rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian si përgjigje ndaj kërcënimeve për paqe dhe unitet në Evropë. Ai gjithashtu konfirmoi angazhimin e Kosovës për Planin e Rritjes dhe adresoi çështje të tjera si Programin e Transportit dhe sigurinë rajonale.