-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Në Ballkan vërehet si askund tjetër dëshira e Gjermanisë për status kuo

Kryesoret

Mbi ndryshimet e mëdha gjeostrategjike dhe domosdoshmërinë e kuptimit të tyre. Në numrin e shtatorit dhe tetorit të revistës gjermane “Internationale Politik” drejtori i Shoqatës Gjermane të Politikës së Jashtme, Thomas Kleine-Brockhoff, u pyet se cilat janë sfidat më të mëdha të politikës së jashtme gjermane. Kleine-Brockhoff u përgjigj: “Gjermania është fuqi e status kuosë.

Që nga viti 1990 ne jetojmë në një parajsë të politikës së jashtme, rrjedhimisht ne me qejf duam ta ruajmë gjendjen e tanishme – madje edhe atëherë kur ajo e ka tejkaluar veten. Shpesh ndryshimet nuk pranohen aq ose pranohen me vonesë”. Por kohërat kanë ndryshuar – jo vetëm për Gjermaninë. Rendi botëror nuk është më kooperativ, por kompetitiv, pra nuk është më bashkëpunues, por garues. Kush ngurron dhe vonohet, ai s’mund të udhëheqë, është i bindur Kleine-Brockhoff.

Në fund të nëntorit të vitit 2011, ministri i atëhershëm i Jashtëm i Polonisë, Radosllav Sikorski, i cili ndërkohë është kthyer në postin e kryediplomatit të Varshavës, mbajti një fjalim në Berlin, i cili atëbotë qe perceptuar si apel dramatik. Sikorski tha se më pak i frikësohej pushtetit gjerman sesa mosveprimit. Këtë e tha një politikan polak, vendi i të cilit ishte sulmuar nga nazistët më 1939.

Duket se elita politike gjermane nuk e kuptoi mesazhin. Pas fitores së Donald Trumpit dhe kritikave të tij të ashpra (dhe të drejta) ndaj elitës gjermane, të cilën e quante të varur nga Kremlini, nuk pati ndonjë ndryshim në Berlin. Trumpi shikohej si një stuhi e përkohshme amerikane, si një “huligan i politikës” që shpejt do të largohej nga ringu.

Ndërkohë vazhdonte të ndërtohej gazsjellësi tjetër (Nord-Stream 2) që do ta lidhte Gjermaninë me Rusinë dhe do ta anashkalonte Ukrainën – përkundër protestave nga vendet baltike, nga Varshava e Kievi. Kur më 2014 Rusia e pushtoi Krimenë, politikanët në Berlin kryesisht rrudhën supet ose protestuan pa ndërmarrë pastaj asgjë. Gazsjellësi vazhdonte të ndërtohej. Tek pasi Rusia sulmoi mbarë Ukrainën më 24 shkurt 2022, ndërtimi i gazsjellësit e pezullua, pastaj “duar të panjohura” e hodhën në ajër një pjesë të tij.

Në Ballkan vërehet si askund tjetër dëshira e Gjermanisë për status kuo. Gjatë qeverisjes së saj Angela Merkel e takoi 16 herë Aleksandar Vuçiqin, në funksionin e tij si kryeministër apo si president të Serbisë. Me 16 takimet “me Angelën” është lavdëruar disa herë vetë Vuçiqi, disa prej këtyre takimeve janë zhvilluar pak ditë para zgjedhjeve në Serbi, gjë që jo vetëm nga opozita serbe është parë si ndihmë elektorale.

Revista “Der Spiegel” në numrin e parafundit e kritikoi qasjen e politikanëve gjermanë edhe ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, të cilit, sipas revistës nga Hamburgu, në Gjermani i shtrohet qilimi i kuq, ndërkohë që Shqipëria nën drejtimin e tij – gjithnjë sipas “Der Spiegel” – i ngjan një narko-autokracie me afera të pafundme korrupsioni, me afërsi të ngushtë të krerëve të krimit të organizuar me pushtetarët, me keqqeverisje e dallavere të tjera.

Edhe më e tmerrshme është gjendja në Serbi. Magazina e “New York Times” në një hulumtim të gjatë dhe të botuar në qershor të vitit të kaluar e akuzoi presidentin Vuçiq për lidhje të ngushta me grupet kriminale në kryeqytetin serb dhe më gjerë. As ky shkrim, as dhjetëra të tjerë nuk patën kurrfarë efekti.

Më 19 korrik në Beograd erdhi për vizitë pasardhësi i Angela Merkelit, kancelari Olaf Scholz. Vuçiqi i premtoi atij se do t’i sigurojë qasje në rezervat e litiumit. Ky element kimik është i rëndësishëm për prodhimin e baterive për vetura. 55 për qind e serbëve të anketuar janë kundër projektit sepse frikësohen se do të ketë pasoja të rënda për ambientin, vetëm 25 për qind i besojnë premtimeve të Vuçiqit. Marrëveshja për litium me Gjermaninë dhe nënshkrimi i kontratës për blerje të avionëve luftarakë nga Franca, i kanë siguruar Vuçiqit përkrahje nga këto dy vende të rëndësishme evropiane.

Diskutimet dhe premtimet prapa kulisave për këto dy projekte, kanë luajtur rol të rëndësishëm që Parisi dhe Berlini nuk e përkrahën anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në maj. Ndonëse Bashkimi Evropian formalisht i bën thirrje Serbisë t’i zbatojë sanksionet e Brukselit kundër Rusisë, vetë presidenti francez Emmanuel Macron tha gjatë vizitës në Beograd se Serbia si shtet sovran mund të bëjë çfarë të dojë, pra edhe të mos i vë sanksione Rusisë.

Më shumë se Angela Merkelin, Vuçiqi e ka takuar Vlladimir Putinin – 17 herë. Avionët e “Air Serbia” çdo ditë lidhin Beogradin me Moskën dhe Shën Petërburgun. Opozitarë rusë janë përgjuar në Beograd dhe me rastin e kthimit në Rusi janë arrestuar dhe dërguar në internim – njëri prej tyre, Vlladimir Kara-Mursa, i cili së fundi u shkëmbye nga SHBA-ja dhe Gjermania me kriminelë rusë të burgosur e dënuar në vendet perëndimore. Privatizimi i shtetit nuk ka pasur pasoja negative për Vuçiqin. Kritikat ndaj tij nga Brukseli, Berlini apo Parisi janë të vakëta ose shpesh relativizuese.

Një argument që përmendet shpesh është se presioni i ashpër ndaj Beogradit mund të ndikojë që Vuçiqi të përfundojë në prehër të diktatorit rus. Sa është realiste kjo? Dy të tretat e tregtisë së jashtme dhe të investimeve në Serbi rrjedhin nga vendet e BE-së. Këtë volum nuk mund ta zëvendësojë Rusia. Pa Perëndimin Serbia rrezikon falimentimin. Një argument tjetër që përmendet nga politikanët perëndimorë është se Serbia është duke e furnizuar me armë Ukrainën, andaj duhet mbyllur të dy sytë ndaj prapësive të Vuçiqit. Por Serbia nuk po e furnizon Ukrainën për arsye humanitare. Po eksporton armë dhe po fiton qindra miliona euro e dollarë. “Sistemi Vuçiq” dhe regjime të ngjashme në rajon tani për tani duken intakte, por çdo sistem e ka një fund kur nis të kalbet nga brenda. Dhe kalbja ka filluar. Edhe si pasojë e përkrahësve të status kuosë në Ballkan nga Perëndimi./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit