Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me Gert Jan Koopman, drejtorin për zgjerim të BE-së, theksoi se kërcënimet nga Serbia janë pengesat kryesore për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ai diskutoi për situatën e sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët perëndimorë për adresimin e këtyre sfidave.
“Ai theksoi se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia, dhe të cilin tha se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kurti riafirmoi angazhimin e Kosovës për dialogun me Serbinë dhe përmbushjen e obligimeve nga Marrëveshja Bazike për normalizimin e marrëdhënieve.
“Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që është proces i ndarë por që ka ndikim në zgjerimin e BE-së, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se e ka në interes përmbylljen e këtij procesi. Në këtë kuptim, kryeministri ia ka konfirmuar Drejtorit Koopman qëndrimin në mbështetje të Marrëveshjes bazë dhe Planit Zbatues, të arritura vitin e kaluar”, thuhet në njoftim.
“Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së”, citohet të ketë thënë Kurti.