Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani ka mbërritur në Nju Jork për të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Hasani pritet që të firmosë disa marrëveshje për liberalizimin reciprok të vizave në funksion të forcimit të pasaportës shqiptare në botë.
Gjithashtu do të ketë takime dypalëshe me Ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit, Bullgarisë, Egjiptit, Gjeorgjisë, Kazakistanit, Maltës, Marokut, Mongolisë, Turkmenistanit, Qipros etj.
Gjatë javës së nivelit të lartë, Shqipëria, përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme do të organizojë dhe drejtojë disa takime, në cilësinë e anëtares së OKB-së por edhe të kryesueses së nismave rajonale si: Karta e Adriatikut, Nisma e Evropës Qendrore dhe Procesi i Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore.