Nesër bëhet një vit nga sulmi i grupit të Milan Radojcicit në Banjskë, ku mbeti i vdekur një efektiv policie, Afrim Bunjaku. Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorët nga data 23 deri më 26 shtator 2024.
Kjo masë, sipas njoftimit, thuhet se është marrë për arsye sigurie dhe për të garantuar ruajtjen e paqes. Përfaqësuesit e Kishës kanë theksuar se qetësia dhe siguria janë prioritet në këtë periudhë, duke shtuar se Manastiri ka rëndësi të veçantë për komunitetin fetar dhe kulturor në zonë.
“Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit njofton publikun se Manastiri i Shën Arqidhjakonit dhe Protomartirit Stefan në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorët të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten (23-26 shtator) për arsye sigurie dhe për të siguruar ruajtjen e paqes, që aktualisht është me rëndësi të madhe për Manastirin”, thuhet në njoftim. Në përleshjet e armatosura që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave lidhur me sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023, në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiç.