Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shprehu shqetësim lidhur me brohoritjet “Kosova, Kosova” nga ushtarët dhe kadetët amerikanë gjatë vizitës së presidentes Vjosa Osmani në West Point.
Në një konferencë për media në New York, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Vuçiç komentoi gjithashtu për trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga Shtetet e Bashkuara, Anglia dhe Turqia.
Ai theksoi se, megjithëse FSK ka personel të mirëtrajnuar, kjo forcë nuk paraqet kërcënim për Ushtrinë e Serbisë. Sipas Vuçiçit, ngjarjet si ato në West Point janë të vështira për t’u pranuar nga serbët, por ai apeloi për qetësi dhe durim.
“E patë Vjosa Osmanin dje në West Point, ku ushtarët amerikanë brohorisnin për të dhe thërrisnin ‘Kosova, Kosova, Kosova’, gjë që nuk është e këndshme për ne serbët ta shohim. Por mirë, jemi mësuar me shumë gjëra të tilla. Vetëm qetësi, durim dhe qëndrueshmëri”, tha Vuçiq.
Ai gjithashtu përmendi se trajnimet e FSK-së, përveç atyre nga SHBA-të, përfshijnë edhe anglezët dhe turqit, duke theksuar se këto forca mund të kërcënojnë mbijetesën e serbëve në Kosovë.