Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) publikoi sot raportin vjetor krahasues 2020 – 23 mbi punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Studimi vëren se ka rënë numri i çështjeve të reja hetimore për korrupsion gjatë vitit 2023, por është rritur ndjeshëm numri i të dënuarve, që janë gjykuar për korrupsion.
Statistikat tregojnë rritje të hetimeve nga ana e SPAK-ut në çështjet e krimit të organizuar, si dhe numri i të dyshuarve për këto krime.
Në Gjykatat e Posaçme studimi thekson se janë shtuar hetimet dhe vendimet për çështjet penale, ku akuzohen zyrtarë të nivelit të lartë, është shkurtuar dukshëm koha e shqyrtimit të çështjeve penale, ndërsa për gjyqtarët mbetet e lartë ngarkesa mesatare e punës.
Ndjekja e korrupsionit
Ndjekja penale nga SPAK-u për rastet e korrupsionit është rritur vazhdimisht në 4 vite, duke mbërritur në 447 raste të dyshuara për korrupsion në 2023.
Megjithatë vitin e fundit u regjistrua një shkallë e ulët e ndjekjes penale për korrupsionin, sepse vetëm 38 raste ose 8.5% e çështjeve të korrupsionit u dërguan për gjykim në 2023, krahasuar me 43 raste ose 10.2% në 2022 dhe 33 raste ose 21% në 2020.
Rastet e korrupsionit të dërguara në gjyq shënuan rënie vitin e fundit, e bashkë me to ranë ndjeshëm numrat e të pandehurve nga 208 në 142 persona të dyshuar për korrupsion.
Por nga ana tjetër të pandehurit për korrupsion, që përfundojnë me dënim janë rritur ndjeshëm vitin e kaluar. Dënimet për korrupsion arritën në 174 vetë në 2023, një rritje nga 140 në 2022 dhe vetëm 29 në 2020.
Studimi vëren se numri i çështjeve të reja të korrupsionit ka pësuar ulje të vazhdueshme, nga 46 raste në 2021 në 40 raste në 2023. Por numri i rasteve të korrupsionit të përfunduara në 2023 u rrit në 44, pas një rënieje të dukshme në 2022 me 32 raste.
Çështjet e korrupsionit të mbartura janë dyfishuar gjatë vitit 2023 në 23 raste të mbartura në 2023, kundrejt 12 raste në 2022. Por nga ana tjetër, ka rënë në 30 numri i apelimeve në 2023, kundrejt 43 raste në 2022.
Studimi veçon se gjatë vitit 2023 u dyfishua numri i procedimeve penale të filluara kryesisht në raport me vitin 2022, e po ashtu patën rritje edhe procedimet penale krahasuar me një vit më parë, por ato janë dukshëm më të ulëta se ato të dy viteve më parë.
Ndjekja e krimit të organizuar
Ndjekja penale nga SPAK-u e krimit të organizuar ka shënuar rritje të vazhdueshme rastesh, po ashtu edhe numrat e të pandehurve për këto krime, ndonëse numri i çështjeve të dërguara në gjykatë mbeti në nivele të njëjta.
Vitin e fundit u dënuan nga gjykata vetëm gjysma e të pandehurve për krim të organizuar, që mbërritën në gjykim. Madje në vitin 2022 u dënuan nga gjykata vetëm një e treta e të pandehurve për krim të organizuar, që kaluan në proces gjyqësor.
Në studim vërehet se shkalla e ndjekjes penale ka një rënie të lehtë 5.5 për qind, ose 11 çështje të dërguara në gjykatë nga 201 të tilla, krahasuar me një vit më parë, kur iu dorëzuan drejtësisë 10 nga 167 çështje.
Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u regjistruan vitin e kaluar 16 çështje të reja nga 27 një vit më parë. Nga ana tjetër u mbartën 25 çështje, ose dy më shumë nga një vit më parë, dhe u përfunduan 21 çështje gjyqësore në 2023 nga 25 çështje të mbyllura në 2022
Zyrtarët e nivelit të lartë
Në morinë e mbi 1 mijë e 533 procedimeve për korrupsion gjithsej me mbi 1 mijë të pandehur, janë hetuar 43 zyrtarë të lartë për korrupsion, prej tyre janë dërguar për gjykim 32 prej tyre si të dyshuar për korrupsion dhe u dënuan për këtë lloj krimi 20 zyrtarë të lartë.
Mes të dënuarve nga 2020 deri në 2023 janë 3 ish gjyqtarë, 1 ish prokuror, 1 ish anëtar i KPA-së, 3 ish kryetarë bashkie, 1 kryetar bashkie, 1 ish nënkryetar bashkie, 1 ish zv.ministër i brendshëm, 1 ish sekretar i përgjithshëm ministrie, dhe 2 ish deputetë.
Sipas studimit, u shënua një rritje prej 8.5 për qind në vitin 2023 në hetimet mbi zyrtarët e nivelit të lartë, kundrejt 0.5 për qind që ishte në 2021.
Vitin e kaluar GJKKO përfundoi me vendim gjyqësor mbi 75 për qind e çështjeve të dërguara për korrupsion dhe krim të organizuar në atë gjykatë, që u përkisnin të pandehurve të nivelit të lartë, ndërsa vitin 2020 kjo ishte 25 për qind.
Në vitin 2023 u hetuan 2 raste skemash korruptive, ndërsa më parë drejtësia e reformuar kishte hetuar vetëm një rast
Gjykatat e Posaçme
Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar gjatë 2023 u regjistruan më pak çështje të reja për korrupsion, u rrit numri i çështjeve të mbartura, por u morën më shumë vendime gjyqësore krahasuar me një vit më parë.
Në të njëjtën gjykatë u regjistruan gjatë vitit të kaluar më pak çështje të reja për krim të organizuar, si dhe më pak vendime gjyqësore, ndërsa u rrit numri i çështjeve të mbartura nga një vit më parë.
Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ranë ndjeshëm çështjet e korrupsionit në raport me një vit më parë, ndërsa u shtuan çështjet e krimit të organizuar.
Të dy gjykatat kanë shkurtuar ndjeshëm kohën e shqyrtimit të çështjes, ndonëse ngarkesa mesatare e punës për gjyqtarët është e lartë, 325 çështje për vitin 2023 në Shkallën e Parë, kundrejt 298 në vitin 2022.
Ndërsa në Apel ngarkesa ka rënë nga 42 çështje në 32 gjatë vitit 2023. Një tjetër problem për t’u veçuar janë vendet vakante përkatësisht dy vende të lira për prokuror në SPAK, 5 vende për gjyqtar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe 2 në Apelin e Posaçëm./ VOA