Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur akuza ndaj Serbisë për mosrespektimin e marrëveshjeve në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Ai theksoi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, po mbron Milan Radoiçiç, një udhëheqës të dyshuar të grupit terrorist të Banjskës.
Në një intervistë për “politico.eu”, Kurti shprehu shqetësimin se Serbia nuk ka vullnet për të nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, megjithëse pretendon se e mbështet. Ai gjithashtu kritikoi diplomatët e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, për mungesën e veprimit ndaj shkeljeve, duke i krahasuar ata me një gjyqtar futbolli pa bilbil.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, iu përgjigj me akuza për Kosovën që nuk ka krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.