Gjykata e Apelit të Tiranës ka dënuar me 1 vit burg deputetin e PD-së, Ervin Salianji për dosjen “Babale” duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për kallëzim të rremë për vëllanë e ish-ministrit Xhafaj, aktualisht deputet i PS-së. Demokrati e cilësoi vendimin politik. Tha se nuk do të largohet nga Shqipëria dhe se do të anulojë takimet e planifikuara në Bruksel në ditët në vazhdim.
“Jam i nderuar dhe kam një medalje që shndrin në karrierën politike. Do të kemi kohë për t’i hyrë procesit nga themeli. Kjo është një vendimmarrje politike.
Kjo vendimmarrje nuk ka asnjë gjasë që të ndryshohet në gjykatat shqiptare. Fatmir Xhafaj do që të kapë SPAK-un apo ishuj të pa kapur prej tij. Unë do të jem në dispozicion këtu. Kam pasur një takim në Bruksel në datë 2 do ta anuloj.
Do të jem këtu. Unë do të jem në dispozicion. Burgu? Do të jem në dispozicion të bandave dhe nuk kanë cfarë të më bëjnë. Do ta bëj ku të kenë qejf këta. Kjo bëhet për zgjedhjet. Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme. Jam i dënuari i parë politik pas 34 viteve” tha ai.