Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me dënimin e deputetit demokrat Ervin Salianji.
Rama shprehet se viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve.
“Ideja se një politikan mund të shpifi lirisht në emër të popullit që e ka zgjedhur, ndërsa kush lufton me shpifësit ligjërisht apo e thotë hapur si puna ime, se dënimi i një shpifësi është një lajm i mirë për lirinë e për demokracinë, nuk qenka tjetër përpos një shtypës i fjalës së lirë e i opozitarizmit, është një ide që ka marrë zë të lartë prej mbrëmë, pikërisht sepse shpifësit e të gjitha foltoreve e banakëve ndjehen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar me shpifje publikisht, këdo që nuk e mundin dot politikisht me fakte e me argumente.”, shprehet kryeministri.
Ai nënvizon që kurrë nuk vë në diskutim punët e drejtësisë dhe nuk e ndalon askush që të shprehë publikisht opinionin e tij.
“Kështu që heroin e saj të ri Mbretëria e Shpifarakëve mund ta ngjisë edhe krah për krah Penxheres së Katit të Tetë në gjoksin e bluzave qesharake të luftës kundër Drejtësisë, sepse kësisoj jo vetëm do të ritregojë se sa larg realitetit të shqiptarëve është, po edhe do ta meritojë akoma më shumë vendimin e hidhur të Gjykatës Sovrane të Popullit në zgjedhjet e afërta politike.”, thotë Rama.