Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mikpriti sot nxënës dhe studentë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtës për Informim.
Ajo theksoi rëndësinë e transparencës dhe informimit, duke nënvizuar rolin e Kuvendit në procesin legjislativ dhe angazhimin e qytetarëve në vendimmarrje.
“Programet e Kuvendit kanë për qëllim për ta bërë Kuvendin e Shqipërisë më të hapur, më të aksesueshëm, më transparent për të rinjtë dhe jo vetëm.
Përmes Kuvend-On dhe projekteve të tjera në Punishten e Demokracisë apo vizitat në Kuvend, shumë nxënës dhe studentë kanë patur rastin të njihen nga afër me punët që bën Kuvendi i Shqipërisë. E konsideroj me shumë vlerë këtë projekt të Kuvendit.
Nga të rinjtë është e nevojshme që të ndjehen si në shtëpinë e tyre. Kuvendi ka deputetët, përfaqësues të popullit, sovranit. Detyrë e tyre është të sjellin zërin e qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë.“-u shpreh znj. Spiropali.
Pas takimit, nxënësit dhe studentët vizituan ambientet e Kryesisë së Kuvendit.