Presidentja Vjosa Osmani theksoi se, megjithëse mund të kenë qasje të ndryshme, ajo dhe Kryeministri Albin Kurti janë të pakompromis për interesat afatgjata të Kosovës.
“Jo domosdoshmërisht e kemi qasjen e njëjtë, megjithatë sa i përket interesave afatgjata të shtetit tonë, sa i përket synimit final, ne nuk dallojmë. E duam një Kosovë të fuqishme, sovrane në çdo cep të territorit, një Kosovë të integruar në familjen euro-atlantike, në mekanizmat nga të cilat përfitojnë qytetarët tanë, një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht. Mbi të gjitha, një Kosovë ku sundon ligji e jo kriminelët. Prandaj në këtë aspekt jemi të pakompromis. Por, insistimi im i vazhdueshëm është që në mënyrë që të gjitha këto veprime që janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën të jenë me sukses më afatgjatë dhe më të qëndrueshme, duhet vazhdimisht të punojmë bashkë me aleatët tanë’, ka thënë Osmani.
Ajo e përshkroi veprimet e Qeverisë në veri si të ligjshme dhe legjitime, duke insistuar për një bashkëpunim të ngushtë me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara.
“Kanë legjitimitet të plotë sepse Kosova si shtet i pavarur dhe sovran duhet ta shtrijë sovranitetin e saj të plotë në çdo cep të territorit’, ka thënë Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Osmani nënvizoi rëndësinë e një Kosove të fuqishme dhe të integruar në familjen euro-atlantike, ku sundon ligji.