Zyrtarisht deputeti i PD-së, Ervin Salianji është dorëzuar në drejtorinë e policisë së Tiranës pasditen e sotme në orën 17:30 për të vuajtur dënimin me një vit burg për kallëzim të rremë. Në mbështetje të tij ishin një grup demokratësh. “Mos iu dorëzo plehrave. Ti je burrë i fortë. Shumë shpejt do të vijë edhe Xhaçka aty. Forca Vini. Po të presim jashtë”! Këto ishin disa nga thirrjet e demokratëve.
Deputeti u shpreh se “një betejë që nuk përfundon nuk është një betejë e lehtë. Asnjë sakrificë nuk shkon dëm. Shumë prej miqve që janë mbledhur kanë vuajtur represionin e qeverisë, nëpërmjet perdorimit të institucioneve, tatimeve, doganave, policisë. Ne do ti çmontojmë banditët dhe dita e demokratëve do vijë” tha ai dhe u ngjit në drejtorinë e policisë. Vuajtjen e dënimit pritet që ta bëjë burgun e Fierit.