Gazetari Artan Hoxha dëshmoi sot në SPAK për dosjen e 21 Janarit, konkretisht kasetën që ka siguruar me komunikimet e Gardës së Republikës që pretendon se janë të momentit kur urdhërohen vrasjet në bulevard.
“Është prokuroria që do të vlerësojë sa i vlefshëm është materiali për 21 Janarin, audio-regjistrimin. Kasetën e kam siguruar unë dhe ia kam çuar familjes Nika sepse ajo ka qenë një familje që nuk ka marrë një përgjigje se kush ia ka vrarë të afërmin, së dyti nuk ka hequr dorë nga drejtësia dhe së treti kush fshihet pas vrasjes së familjarit të tyre. Prokuroria e ka marrë materialin, do të ndjekë procedurën, por do të thosha edhe për burimin. Unë mund të them vetëm për mënyrën si është bërë regjistrimi përmes një diktofoni tek kanali ku komunikonin drejtuesit e gardës.
Aty është bërë shumë e qartë se vrasjet jo vetëm që janë bërë me urdhër, por urdhri ka ardhur nga lart. Nëse të shtënat do të kishin zgjatur më shumë se 7 sekonda, aty do të kishte ndodhur një masakër, nami, me atë mënyrë si është hapur zjarri. Të vrarët, asnjëri nuk është në rrethimin e kryeministrisë. Nuk ishte e nevojshme për të reaguar në atë formë. Aty ka urdhra për gardën, që nëse po ju gjuajnë me gurë, përgjigjuni me gurë. Ky është rasti i fundit që mund të zbardhet kjo çështje. Ne kemi luftuar për dy vite që ky material të mos i vendosej në dispozicion prokurorisë së Tiranës por SPAK-ut.
Në kasetë, material nga zëri unë kam identifikuar dy zëra të tjerë veç punonjësve gardës, dëgjohen edhe ata, ngjarja ka qenë shumë dinamike, por i mbetet ekspertimit. Koha ka bërë të vetën, provat u prishën që kur ndodhi ngjarja. SPAK ka mjete, vullnet, nuk është në presion si prokuroria e asaj kohe SPAK e ka shumë më të lehtë që të thërrasë zyrtarët më të lartë asokohe, nga kryeministri, ministri i Brendshëm, kryetari i opozitës Rama, etj. Hetimi duhet të jetë shterues. Nga momenti kur u përgatit protesta dhe deri kur filloi fshirja e serverit të kryeministrisë, serverit të gardës, që atëherë tha se nuk punonte, por ja punonte” tha ai.