Presidenti Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim ligjin “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, duke theksuar se ndryshimi i 68 neneve nuk ka ndjekur procedurat e rregullta të Kuvendit.
Në dekretin e tij, ai thekson mungesën e një nisme ligjbërëse formale, konsultimit publik dhe analizës së kostos financiare për ligjet e propozuara. Begaj shpreh shqetësim se bashkimi i ligjeve me natyra të ndryshme krijon paqartësi dhe pasiguri, duke kërkuar një shqyrtim më të kujdesshëm nga ana e Kuvendit.
“Për këto 68 ligje nuk ka nismë ligjbërëse formale, nuk ka regjistrim të projektligjeve në programin e punës së Kuvendit, nuk ka konsultim publik, nuk ka procedurë të veçantë shqyrtimi, nuk ka mendim të shprehur nga ekzekutivi për secilin prej ligjeve, nuk ka analizë të kostos financiare dhe deklarim nga qeveria që pranon mbulimin e kostove financiare për secilin prej tyre si dhe nuk ka raporte të veçanta vlerësimi nga komisionet përgjegjëse të Kuvendit sipas fushave që mbulojnë 68 ligjet e sipërpërmendura”, thuhet në dekret.