-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Kur për 15 muaj u masakruan 10 mijë njerëz

Kryesoret

25 vjet pas luftës në Kosovë, më në fund është publikuar një përshkrim i gjithanshëm dhe serioz i krimeve masive serbe. Ky studim, i kryer nga politologu Shkëlzen Gashi, u realizua edhe falë ndihmës zvicerane.

Lufta e fundit në Evropën e shekullit XX u zhvillua në Kosovë. Ajo shpërtheu në pranverën e vitit 1998 dhe përfundoi pak para fillimit të verës së vitit të ardhshëm – pas një ndërhyrjeje të NATO-s, e cila parandaloi një gjenocid të mundshëm. Brenda 15 muajve, “forcat e sigurisë” të Serbisë – të përbëra nga policia, ushtria dhe bandat paramilitare – vranë mbi 10 mijë shqiptarë të Kosovës. Pothuajse një milion njerëz u dëbuan nga shtëpitë dhe banesat e tyre.

Një çerek shekulli ka kaluar që nga kjo luftë – dhe më në fund tani në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, është publikuar për herë të parë një përmbledhje e plotë dhe e besueshme e krimeve masive serbe në Kosovë. Hulumtimi për këtë paraqitje ka zgjatur gati pesë vjet – më gjatë se lufta vetë. Autori i studimit me titullin e thjeshtë “Masakrat në Kosovë” është politologu Shkëlzen Gashi.
Qysh gjatë leximit bëhet e qartë se qëllimi i shkencëtarit kosovar nuk është një përllogaritje e kufomave për të shkaktuar efekte, por e vërteta e plotë. Në këtë përfshihen edhe aktet e hakmarrjes së luftëtarëve kosovarë për pavarësi kundër pjesëtarëve të pakicave – kryesisht serbëve dhe romëve – të cilat Gashi i përmend në mënyrë të pashmangshme në veprën e tij kërkimore.

Ai thotë se i ka dokumentuar krimet e luftës në mënyrë të detajuar me qëllim që të tregojë respekt për të gjitha viktimat. Një motivues për të ka qenë filozofi dhe paqebërësi francez, Paul Ricœur. Ky i fundit numëron tre hapa si parakusht për pajtimin midis popujve: së pari duhet të nxirret në dritë e vërteta, pastaj duhet të tregohet pendesë dhe së fundi duhet të kërkohet falje. Kosova dhe Serbia janë ende larg nga ky proces. Nëse një ditë, shpresojmë jo shumë të largët, do të arrihet kjo, puna e Gashit do të jetë një bazë e rëndësishme për të.

Ky studim mbështetet në disa burime të besueshme si hulumtimet e autorit, dëshmi të dëshmitarëve, raporte të organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe mediave perëndimore, si dhe të dhëna nga Tribunali i OKB-së mbi Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Studimi është tregjuhësh – në shqip, serbisht dhe anglisht – dhe përmban, përveç përshkrimeve të detajuara të shumicës së masakrave në të gjithë Kosovën, edhe shumë ilustrime, të cilat në disa raste janë të vështira për t’u përballuar. Gra të përdhunuara, burra të ekzekutuar, fëmijë të vrarë në krahët e nënave të tyre, pleq të ngrirë në agoni, viktima të hedhura në puse: këtu shfaqet lufta kundër civilëve të pafajshëm në të gjithë brutalitetin e saj.

Natën midis 1 dhe 2 prillit 1999, policët specialë serbë hynë në shtëpinë e një familjeje të madhe në qytetin perëndimor të Gjakovës. Burrat ishin larguar tashmë për t’i shpëtuar një ekzekutimi të mundshëm nga forcat e regjimit të Beogradit. Mbetën vetëm 20 gra me fëmijë dhe një burrë me aftësi të kufizuara mendore.

Ajo që pasoi ishin vrasje gjakftohta: policia hapi zjarr dhe trupat ranë njëri pas tjetrit në tokë. Nga të shtënat shpërtheu një zjarr dhe autorët u larguan duke menduar se flakët do të shkatërronin provat e krimit të tyre. Në këtë kaos, një djalë nëntë vjeç, Dren Caka, i plagosur rëndë, përpiqej të shpëtonte motrën e tij të vogël, e cila po jepte frymën e fundit nën trupin e pajetë të nënës së tyre. Kur po fillonte të mbytej nga tymi, ai u dorëzua.

Dreni është i vetmi i mbijetuar i masakrës dhe dëshmoi vite më vonë në gjyqin kundër politikanëve serbë, komandantëve të ushtrisë dhe policisë në Tribunalin e Krimeve të Luftës të OKB-së në Hagë. Sot ai jeton në Kanada.

83 masakra renditen kronologjikisht në studim – me kohën, vendin, rrethanat, numrin dhe moshën e viktimave, përkatësinë etnike, gjininë. Në 22 raste të tjera mungojnë ende të dhënat e sakta, kështu që këto mizori janë paraqitur vetëm në mënyrë tabelare. Nga gjithsej 105 masakra, 103 janë kryer nga forcat serbe të sigurisë.

E para u krye në fund të shkurtit 1998, kur policia serbe, pas përplasjes me luftëtarët e rezistencës kosovare-shqiptare, u hakmor mbi 20 shqiptarë të paarmatosur. Midis viktimave ishte edhe një vajzë 16-vjeçare. Masakra e fundit ndodhi në fund të korrikut 1999, më shumë se një muaj pas përfundimit zyrtar të luftës: në një fshat afër Prishtinës u vranë 14 fshatarë serbë – me shumë gjasa nga hakmarrësit kosovarë.

Brutaliteti i forcave shtetërore serbe u përshkallëzua në mënyrë dramatike më 24 mars 1999: në këtë ditë, NATO filloi bombardimin e ushtrisë dhe policisë serbe, për t’i dhënë fund ndjekjes sistematike të popullsisë shumicë shqiptare të Kosovës. Diktatori serb i atëhershëm, Slobodan Millosheviqi, e pa këtë si një mundësi për të dëbuar sa më shumë shqiptarë të Kosovës me një fushatë të terrorit dhe frikësimit të mirëplanifikuar.

Për të arritur këtë qëllim, brenda disa javëve në pranverën e vitit 1999, mbi 300 persona u masakruan në rajonin e Rahovecit, në fshatin Mejë në perëndim të Kosovës, forcat serbe vranë pothuajse 350 shqiptarë të besimit mysliman dhe katolik, dhe në dhjetëra fshatra dhe qytete të tjera u la një gjurmë gjaku. Gati gjysma e dy milionë banorëve të Kosovës gjeti strehë në shtetet fqinje, Shqipëri dhe Maqedoni. Për të mbrojtur jetën e ushtarëve të vet, vendet e NATO-s nuk ishin të gatshme të ndërhynin me trupa tokësore.

Pas 78 ditësh sulmesh ajrore të NATO-s mbi Serbinë, Milosheviqi kapitulloi dhe tërhoqi trupat e tij nga Kosova. Provinca u vendos nën administrim ndërkombëtar. Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë me mbështetjen e Perëndimit.

Një fjali përshkon pothuajse të gjithë studimin e Shkëlzen Gashit: “Për këtë masakër deri më sot askush nuk është dënuar, e madje as gjykuar askush”. Megjithëse Tribunali i OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar disa udhëheqës politikë dhe ushtarakë të Serbisë me dënime të gjata me burg, komandantët dhe autorët e drejtpërdrejtë jetojnë ende të lirë dhe glorifikohen si heronj. Sllobodan Millosheviqi, përgjegjësi kryesor për mizoritë, vdiq gjatë procesit gjyqësor në qelinë e tij nga një atak në zemër – pa një aktgjykim fajësie. Zyra e prokurorisë nën drejtimin e Carla Del Ponte shpesh humbi rrugën, në vend që të fokusohej në pikat dhe dëshmitarët më të rëndësishëm.

Shkrimtari serb, Dejan Tiago-Stankoviq, i cili redaktoi përkthimin e studimit në serbisht, shkroi pak para vdekjes së tij vitin e kaluar se ai e kishte lexuar i tmerruar këtë “katalog të krimeve masive”: “Unë nuk i dija të gjitha këto. Çfarë ndodhi saktësisht në vitin 1999? Nuk e dija, sepse nuk doja ta dija. (…) Shumica dërmuese e kriminelëve nuk u gjetën dhe nuk u dënuan. Serbët i fshehin krimet e tyre në Kosovë nga vetja. E vërteta nuk gjen vend në tekste, mediat pothuajse nuk merren me këtë, dhe filmat për këtë nuk arrijnë në televizion. Është e qartë se ne mbrojmë së bashku mitin që serbët janë gjithmonë viktima dhe kurrë autorë. Çfarë vlere ka të gënjesh?”

Nuk ka asnjë vlerë. Kjo vlen edhe për shoqërinë kosovare, e cila vetëm adhuron heronjtë e vet të luftës. Kundër kësaj dëgjohen zërat e publicistëve kritikë si Shkëlzen Gashi, megjithëse ata shpesh shpallen tradhtarë. Puna e tij për një përmbledhje të dokumentuar të krimeve të luftës në Kosovë është financuar nga disa organizata joqeveritare, fondacione perëndimore dhe nga ambasadat zvicerane dhe suedeze në Prishtinë. Me këtë, këto ambasada kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm kundër lajmeve të rreme, teorive të konspiracionit dhe shtrembërimit të fakteve historike. Kushdo që është i interesuar për të vërtetën e luftës në Kosovë, është mirë i pajisur me këtë libër me peshë dy kilogramë, plot fakte./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit