Në një intervistë nga Luksemburgu, Kryeministri Edi Rama u shpreh se drejtësia në Shqipëri ka goditur më shumë majtas sesa djathtas, duke theksuar rëndësinë e një sistemi të pavarur.
Ai e përshkroi rrugën drejt anëtarësimit në BE si me pengesa, por e theksoi nevojën për të kapërcyer këto sfida. Rama nënvizoi se “kush nuk pranon vendimet e drejtësisë, është i destinuar t’i bjerë murit me kokë,” duke theksuar se përparimi i vendit varet nga respektimi i rendit ligjor dhe demokracisë funksionale.
Ai gjithashtu nuk dha komente specifike për opozitën, duke lënë hapësirë për reflektim mbi rolin e saj në këtë proces.
Kryeministri Edi Rama: Tani patjetër që kjo është një rrugë me pengesa. Pengesat në radhë të parë janë pengesa që duhet t’i kapërcejmë ne, sepse është një mal i tërë për t’u ngjitur tek ajo maja që unë e përsëris, ku Shqipëria duhet të ngjitet në 2030 në të gjitha aspektet dhe këtu nuk është fjala për ta marrë Shqipërinë për ta sjellë këtu.
Këtu është fjala për ta ndërtuar Evropën atje dhe për ta kthyer Shqipërinë në një vend që funksionon si një anëtar i BE me liri individuale, me rendin ligjor, me demokraci funksionale.
Përsa i përket opozitës unë nuk kam çfarë të them. Ne nuk mund as ta ndalojmë, as ta ndryshojmë, as ta ngadalësojmë dhe as të ndërhyjmë në procesin pa kthim të vendosjes së drejtësisë përmes një sistemi drejtësie të pavarur dhe natyrisht, heqja e duarve të politikës nga drejtësia ka krijuar dhembje, ka krijuar situata me të cilat ne nuk jemi mësuar dhe drejtësia ka goditur majtas dhe djathtas. Me shumë majtas sesa djathtas nëse e marrim në aspektin kuantitativ, por kjo është ajo që kemi kërkuar, kjo është ajo për të cilën kemi luftuar edhe kush nuk do të pranojë vendimet e drejtësisë, është i destinuar t’i bjerë murit me kokë dhe në fund është koka dhe jo muri që do bëjë prapa.