Mesfushori kuqezi Keidi Bare ishte titullar në ndeshjen që Real Zaragoza luajti në transfertë përballë Tenerife, por u zëvendësua në minutën e 60’ të sfidës sepse pësoi një dëmtim në hundë pasi u godit me takë nga një futbollist kundërshtar.
Mesfushori shqiptar pësoi hemorragji në hundë gjatë pjesës së parë dhe u desh të vendoste një pambuk për të ndalur rrjedhjet deri në pushimin mes pjesëve.
Ai zbriti në fushë edhe për 15 minuta në pjesën e dytë, por hemorragjia i është përsëritur në stërvitjen e së mërkurës me klubin.
Mediat spanjolle raportojnë se një tjetër përplasje me shokët e skuadrës në fund të seancës përgatitore të mëngjesit në Ciudad Deportiva, u mbyll me një goditje në hundë, e cila ka bërë që Bare të përfundojë i gjakosur.
Për shkak të pamundësisë së ndalimit të rrjedhjes së gjakut, mjekët e Zaragozës kanë vendosur ta transportojnë futbollistin për në spital.









