Marklen Haka do të mbetet në burg, pasi gjykata e apelit të posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë për të. Haka, i arrestuar në shtator me dyshimin për tentativë vrasjeje ndaj kriminelit të njohur Durim Bami, u kap pas një operacioni të policisë, ku morën pjesë forcat speciale RENEA.
Gjatë marrjes në pyetje, Haka mohoi çdo lidhje me atentatin ndaj Bamit, ndodhur në nëntor 2020, dhe pretendoi se nuk kishte konflikte me të. Prokuroria e akuzon atë për mbikëqyrjen e Bamit dhe dhënien e informacionit grupit të Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës, të cilët kërkonin eliminimin e tij.
Marklen Haka ishte në kërkim që nga maji i këtij viti dhe u arrestua në banesën e kushëririt të tij, Kljadi Haka, i cili gjithashtu u arrestua për përkrahje të autorit të krimit dhe armëmbajtje pa leje.