Boshatiset kampi i Gjadrit. 12 emigrantët që erdhën dy ditë më parë janë transportuar nga kampi i Gjadrit në Portin e Shëngjinit, atje ku ndodhet një anije e rojës bregdetare italiane, që do i transportojë ata drejt Italisë.
Një gjykatë në Romë urdhëroi të premten kthimin në Itali të grupit të vogël të emigrantëve që u dërguan në kampet e pritjes të ngritura nga qeveria italiane në Shqipëri, duke i dhënë kështu një goditje të fortë planeve të kryeministres Giorgia Meloni për të dërguar jashtë vendit azilkërkuesit.
Seksioni i migracionit i Gjykatës së Romës e konsideroi të pavlefshme mbajtjen në kampin e Gjadrit të 10 shtetasve nga Bangladeshi dhe 6 të tjerëve nga Egjipti, dy vende të konsideruara jo të sigurta, nga një vendim i Gjykatës së Drejtësisë evropiane dy javë më parë.
Sipas marrëveshjes Rama-Meloni, në kampin e Gjadrit në Shqipëri, do të mbaheshin vetëm emigrantë nga vende të konsideruara të sigurta, sipas një liste prej 22 shtetesh, të hartuar nga ministria e jashtme italiane.
Por vendimi i Gjykatës Europiane, i detyrueshëm për zbatim në vendet anëtare, tkurr ndjeshëm numrin e vendeve që mund të konsiderohen të sigurta. Për pasojë, qeveria italiane mund të gjendet përballë faktit që kampi në Shqipëri të mbetet thuajse bosh.