Në Bruksel u mbajt sami ti i BE-së për prioritet mbi ashpërsimin e politikave kundër emigracionit ilegal. Star-ja e këtij samiti është padyshim kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, me planin e saj të transferimit të emigrantëve në Shqipëri si zgjidhja më origjinale praktikuar ndonjëherë nga një vend europian. Pikërisht kjo zgjidhje “jo e zakonshme” italiane, siç e quajti Von der Leyen, vjen në momentin më të duhur kur europianët nuk po dinë si të veprojnë me emigrantët që hyjnë në BE, por që nuk kthehen më në vendet e tyre. Kryekomisionerja dha statistikën që bëri efektin e një dushi të ftohtë: vetëm 20% e vendimeve gjyqësore që urdhërojnë dëbimin e emigrantëve klandestinë drejt vendeve të tyre ekzekutohen sot në të gjithë BE-në.
Mbetën pra 80% të vendimeve për dëbim, që nuk zbatohen në shkallë europiane, sepse shpesh vendet e origjinës nuk hapin dritën jeshile për të lejuar kthimin e shtetasve të tyre. Samiti i shefave të shteteve dhe qeverive ka vendosur të urdhërojë Komisionin Europian me Ursula von der Leyen në krye që të hartojë me urgjencë një direktivë “kthim” ku të parashikohen masa, metoda, mekanizma se si të bëhet e mundur që të kthehen mbrapsht emigrantët që Europa nuk do t’i mbajë. Është në këtë kontekst që Italia krekoset në këtë Samit sepse ajo, Meloni e ka gjetur zgjidhjen, Shqipëria.
Mesazhi i Melonit: “Mënyra më e mirë për t’i kthyer mbrapsht emigrantët është që ata të mos vënë fare këmbë në BE, por të transferohen direkt në vende të treta si Shqipëria”. Ndërkohë kur një sërë liderësh europianë po tregohen admirues në mos ziliqarë përballë kësaj zgjidhjeje italiane kaq të thjeshtë, një zgjidhje “so inovating” siç po e quajnë me eufemizëm ata, presidenti francez duket se po u prish entuziazmin me një koment shumë të thartë. Nëse ka ende iluzione në Shqipëri se emigrantët që po sjell Italia do kthehen një ditë në vendet e tyre, ta lexojnë dhe meditojnë mirë këtë deklaratë të Macron të tmerrshme për nga transparenca: “Që të kemi diskutime me vende të treta (dmth., si Shqipëria) që pranojnë të mbajnë njerëz, që as ne europianët nuk duam t’i pranojmë dhe që as vendet e tyre të origjinës nuk duan t’i marrin mbrapsht, unë jam shumë skeptik. Ne kemi rregulla, ato janë të gdhendura në tekstet tona”.
Në krah të Macron për të kritikuar edhe ai marrëveshjen Meloni-Rama u rreshtua kryeministri socialist spanjoll, Pedro Sanchez, që shqiptoi këto fjalë: “Edhe ne (spanjollët) nuk jemi dakord me këtë tip marrëveshjeje, e cila jo vetëm që nuk zgjidh asnjë problem, por krijon edhe të tjera”. Nëse ka ende shqiptarë që s’po e kuptojnë gjuhën diplomatike të Macronit dhe Sanchezit, në shqipen shqeto thonë: Turp për vlerat tona europianë kjo zgjidhje e shëmtuar e Italisë, e cila po ia rras pataten e nxehtë gjynafqarëve shqiptarë pasi dihet botërisht se emigrantët, të cilëve nuk u jepet azil, ata nuk kthehen më në vendet e tyre të origjinës. Merci à qui? Merci Edi…