Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj u shpreh se se Bashkimi Evropian vetëdijshëm shkeli Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit për mënyrën se si u përfaqësua Kosova në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Sipas tij, në Marrëveshjen e Brukselit thuhet se Kosova duhet të përfaqësohet në organizata ndërkombëtare si shtet sovran, por në CEFTA u prezantua me asterisk.
Kosova për herë të parë u përfaqësua me zyrtarë të saj në CEFTA këtë muaj, por me asterisk. Deri tash, Kosova përfaqësohej nga UNMIK-u. Për Hoxhajn, kjo mënyrë e përfaqësimit nuk do të thotë asgjë. Ai ka theksuar se që Kosova të jetë e barabartë me shtetet e tjera duhet të ndryshohet Konventa e CEFTA-s.
“Pranimi i kompromisit nga Kurti (për lejimin e mallrave serbe) nuk e ka ndërruar përmbajtjen e pranisë së Kosovës në CEFTA, e ka ndërruar vetëm përfaqësimin. Nuk ka ndërruar Konventa e e CEFTA-s… është gjetur vetëm një zgjidhje si të ulet në tavolinë dhe të jetë funksionale. Çështja e CEFTA-s, kompromiset e Kosovës, qëndrimi i Sarrazinit dhe i evropianëve tregon për diçka tjetër. Ne kemi pasur Marrëveshje të Brukselit.
Nga pika e parë deri te e pesta e kemi pasur që Kosova duhet të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare si shtet sovran dhe e shoh mënyrën se si është përfaqësuar Kosova në CEFTA është shkelje brutale e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Jo që Kosova e Serbia s’po e zbatojnë marrëveshjen, por edhe gjermanët, francezët e BE-ja që e kanë propozuar një plan të tillë vetëdijshëm po e shkelin”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.