Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill deklaroi sot se ka çështje për të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nuk pajtohen, por se mendon se mund të punojnë së bashku pavarësisht se kanë mendime të ndryshme për disa çështje të rëndësishme, siç është Kosova.
Në një intervistë për televizionin serb K1, Hill i është përgjigjur pyetjes se cili është argumenti për faktin se Amerika së bashku me Turqinë dhe Britaninë e Madhe investojnë më së shumti në transformimin e FSK-së në ushtri.
“Shtetet e Bashkuara kanë marrë një vendim dhe ja ku jemi. Pra pyetja është nëse ne mund të punojmë së bashku, pavarësisht se kemi mendime të ndryshme për disa çështje të rëndësishme, çështje që janë të rëndësishme për ju dhe të rëndësishme për ne.
Mendimi im është se ne mund të vazhdojmë të punojmë për çështjet, edhe pse kemi mosmarrëveshje, unë nuk jam këtu për t’ju thënë se mund të biem dakord për gjithçka, por unë jam këtu për t’ju thënë se do të përpiqemi të kuptojmë situatën, të ecim përpara”, tha Hill.
I pyetur nëse mendon se Kosova rrezikohet nga një kërcënim për sigurinë nga Serbia, siç edhe ka thënë në shumë raste kryeministri Albin Kurti, Hill tha se nuk dëshiron të flasë për atë që mendon Kurti, por theksoi se ShBA-ja dëshiron të jetë e sigurt se ka një mirëkuptim të qartë me Serbinë për atë që po tentohet të arrihet përmes bisedimeve.