Plantacioni me marijuanë është zbuluar në Tripoli nga policia greke, e cila ka realizuar një operacion të gjerë në bashkëpunim me njësitë e tjera të sigurisë.
Gjatë operacionit, policia zbuloi 1253 bimë marijuanë, disa prej të cilave deri në 3.5 metra të larta, të cilat u shkulën dhe u sekuestruan së bashku me pajisjet e ujitjes. Përveç kësaj, autorët kishin krijuar një zonë të veçantë për tharjen e bimëve, ku u gjetën 1 ton e 398 kg marijuanë të tharë dhe të paketuar për shitje.
Një nga të dyshuarit, Shqefet Ndreca, 37 vjeç, nga Zejmeni i Lezhës, u arrestua pasi qëndronte ilegalisht në Greqi. Policia po punon për identifikimin e anëtarëve të tjerë të grupit kriminal, ndërsa fitimet e pritshme nga ky aktivitet do të arrinin deri në 10 milionë euro.