Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka quajtur arrestimin e Ilir Metës një “akt burracak” të kryeministrit Edi Rama. Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, ai tha se ky veprim dëshmon se në shpirtin e Ramës nuk ka asnjë dallim nga i ati xhelat që urdhëroi varjen e Havzi Nelës.
Berisha përshkroi arrestimin si një “akt terrorist” të regjimit të Ramës, duke e cilësuar Metën si një figurë të rëndësishme politike që ka kontribuar në procesin e orientimit europian të vendit. Ai theksoi se arrestimi ndodhi në një moment të paprecedent, ku një ish-president dhe ish-kryeminist i Shqipërisë u trajtua si një kriminel, duke përmendur gjithashtu kontributin e Metës gjatë luftës në Kosovë.
Berisha: Mirëmbrëma z.Noka, zotërinj drejtues të PD, anëtare dhe anëtarë të kësaj kryesie, demokrate e demokratë, opozitarë e opozitare kudo që jeni. Kjo mbledhje kryesie e thirrur ditë më parë mblidhet sot në një moment, në një ditë, në të cilën regjimi, narko-regjimi i Edi Ramës kreu një akt terrorist të vërtet. Rrëmbeu në mes të rrugës, tërhoqi zvarrë dhe goditi me urdhër të Edi Ramës, ish-presidentin, ish-kryeministrin, ish-kryetarin e Parlamentit, kryetarin e partisë së dytë më të madhe opozitare, z.Ilir Meta, e gjitha kjo si përson nën hetim.
SPAK jep njoftimin zyrtar për arrestimin e Metës/ Ja akuzat ndaj tij dhe Monika Kryemadhit
Edi Rama, me këtë akt prej burracaku, prej frikacaku dëshmoi se në shpirtin e tij nuk ka asnjë dallim nga i ati xhelat që i tmerruar nga vargjet e Havzi Nelës firmoste varjen e tij në litar si kundërshtar politik. Të nxjerrësh një bandë me uniformë, të rrëmbejnë, të zvarrisin, të godasin njërin nga personalitetet me karrierë më të gjatë politike, i cili në rininë e tij bëri aq sa kishte mundësi për një orientim europian të partisë së krimit. Në periudha tjera, veçanërisht gjatë luftës në Kosovë dha kontribut thelbësor në përballimin e krizës, qendroi në detyrën e presidentit në mbrojtje të Kushtetutës dhe pluralizmit.