SPAK njoftoi se nga operacioni për arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja u sekuestruan një pajisje regjistrimi, dokumente pronësie, telefona, 1100 euro, etj. Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar urdhëroi që të kontrolloheshin banesa, automjete dhe persona.
Pas kontrolleve të ushtruara, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
- Pesë telefona celularë;
- Një hard disk i jashtëm Verbatim;
- Një pajisje regjistrimi në formë pakete;
- Shuma monetare prej 1,100 (njëmijë e njëqind) euro;
- Dokumente pronësie, etj;
Në njoftimin zyrtar SPAK thotë se ndaj Jurgis Çyrbjes rëndojnë disa vepra penale, të cilat i ka kryer gjatë kohës që ka qenë deputet në Parlament. Sipas SPAK nga hetimet ka rezultuar se personi nën hetim Jurgis Çyrbja në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka patur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim Altin Hajri, një personazh i botës së krimit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale që lidhen me rrëmbimin, zhdukjen dhe vrasjen e Jan Prengës.
Për shkak të funksionit të tij si deputet, Jurgis Çyrbja i ka ofruar favorizime të ndryshme Hajrit duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Në këmbim të këtyre favoreve të siguruara, Altin Hajri i ofronte Çyrbes që të votonte si dhe të siguronte votues në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.