Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka shprehur indinjatë në lidhje me arrestimin e Ilir Metës, duke e cilësuar ndalimin e tij si një “shfaqje të turpshme” të Policisë së Shtetit, e cila, sipas tij, po zbaton urdhra politikë.
Noka thekson se kjo është një përpjekje e qeverisë për të eliminuar opozitën përpara zgjedhjeve. Ai e inkurajon popullin opozitar të qëndrojë i bashkuar përballë “diktaturës së mafias” dhe kërkon mosbindje civile si përgjigje ndaj kësaj situate.
Postimi i plotë:
Jo vetëm arrestimi, por ndalimi në rrugë i automjetit në formën e aksionit blic, është një shfaqje e turpshme për Policinë e Shtetit, që zbaton me përpikmëri urdhërat politikë të kryeministrit-prokuror. E turpshme për Shqipërinë dhe qytetarët #shqiptarë që ish Presidenti dhe ish Kryeministri i vendit të tyre të tërhiqet me forcë nga maskat e narkoshtetit.
Edi Rama, pasi nuk ia doli të likuidojë #PD-në, synon eliminimin politik të Partisë së Lirisë. Zgjedhjet po afrojnë dhe #Rama kërkon që #shqiptarët të mos kenë alternativa e ai vetë të mos ketë kundërshtarë.
Të gjitha do t’i kthehen mbrapsht. Populli opozitar do të qëndrojë i bashkuar përballë diktaturës së mafias.
Narkoshteti i Ramës do shembet para syve tanë. Dy drejtuesit kryesorë të opozitës janë arrestuar me urdhër të Ramës. Të përballemi me të gjitha forcat! Mosbindje civile deri në fund!