Kryeministri shqiptar Edi Rama ka planifikuar që të zhvillojë një tjetër tubim për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi më 3 nëntor në Selanik.
Ky do të jetë tubimi i dytë që Rama zhvillon në Greqi këtë vit, pas një eventi të ngjashëm në Athinë në maj. Të dyja janë pjesë e një përpjekjeje për të angazhuar diasporën përpara zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë në 2025.
Kryeministri grek Mitsotakis tha se tubimi i Ramës në Athinë ishte i “tepruar”, duke vënë në dukje tensionet e vazhdueshme midis Greqisë dhe Shqipërisë, veçanërisht për burgosjen e Fredi Belerit.
Gazeta Kathimerini shkruan sot se “pavarësisht këtij tensioni dhe shqetësimeve për sundimin e ligjit në vendin ballkanik, Greqia kohët e fundit votoi në favor të fillimit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian”
Artikulli vijon më tej duke theksuar se “Rama është nën zjarr nga opozita brenda vendit, e cila e akuzon se ka përdorur SPAK, një prokurori e posaçme e ngritur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të goditur rivalët e tij politikë, veçanërisht pas arrestimit të fundit të liderit të opozitës Ilir Meta” shkruan gazeta.