Policia ka shpallur në kërkim Flamur Rrajën, vëllain e ish deputetit socialist Rrahman Rraja.
Gjithashtu në kërkim u shpall edhe djali i Flamur Rrajës, Ariel Rraja.
Flamur Rraja, përpos ngjarjes të para dy ditëve, dyshohet se më datë 6 korrik 2023, së bashku me anëtarë të tjerë të fisit Rraja ka ushtruar dhunë fizike ndaj anëtarëve të fisit Maja po në Nikël. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, u shfaq dhuna barbare e ushtruar nga Flamur Rraja, që kishte thirrur në ndihmë edhe vëllanë e tij, Xhelal Rraja.
Në dëshminë në polici, Bilbil Maja ka thënë se ka qenë në lokal me kushëririn duke folur me inxhinierin e firmës dhe më pas në një moment sipas tij me armë në dorë janë afruar vëllezërit Xhelal dhe Flamur Rraja.
“Në lokal pashë që kur u shtriva në dysheme u futën edhe katër persona të tjerë, ishte edhe “Caku” që është pronar i gurores. Kishin në duar shkopinj me të cilët na godisnin. Flamur Rraja më ka goditur me shulin e pistoletës, kurse Xhelal Rraja më goditi nga mbrapa në shpinë me qytën e pistoletës.”, ka thënë në polici Bilbil Maja.
Ngjarja e rëndë ndodhi, pasi banorët e Niklës denoncuan në Policinë e Fushë Krujës, si dhe protestuan në rrugë se aktiviteti i një guroreje në pronësi të Përparim Rrajës, po u shkatërronte shtëpitë.