Drejtuesi i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi, ka deklaruar se protestat e opozitës do të bëhen më të ashpra, duke iu referuar ngjarjeve të mëparshme, përfshirë sulmin me molotov në selinë e Partisë Socialiste.
Ai theksoi se aktualisht Shqipëria nuk ka një Parti Socialiste, por një “narko-shtet”.
Në një intervistë për News24, Këlliçi tha se aksionet e deritanishme kanë qenë të buta dhe se më 29 tetor do të përshkallëzojnë veprimet e tyre.
“Betejë dhëmb për dhëmb që Shqipëria t’i kthehet normalitetit dhe t’i largohet narkoshtetit”, paralajmëroi ai.
“PD nuk kërkon marrjen e pushtetit në tavolinë, por zgjedhje të lira e të ndershme. E bindur nga mbështetja e qytetarëve dhe potenciali në diasporë. Atje nuk gjen mbështetës të një mandati të 4 të kësaj qeverie, sepse është alogjike. Duan një ndryshim dhe kthimin e normalitetit në vend.
Ne nuk jemi më një demokraci normale. PD e vendosur të mos shkojë më në votime ku parashkruhet rezultati, por në zgjedhje. Betejë dhëmb për dhëmb që Shqipëria t’i kthehet normalitetit dhe t’i largohet narkoshtetit”, tha ai.