Durim Bami më 21 tetor është arrestuar për të dytën herë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Durim Bami është ndaluar nga policia e Dubait dhe prej 5 ditësh mbahet nën arrest.
Herën e parë, ai u ndalua për llogari të SPAK në muajin qershor 2024, pasi prokurorët e posaçëm kishin lëshuar në muajin maj një mandat arresti si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS në Lezhë, Arben Ndoka si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinaj, Erigers Mihasin dhe Hektor alias Tori Xheçuka.
Ende nuk dihet me saktësi nëse ndaj Durim Bamit është lëshuar një masë sigurimi e dytë “arrest me burg” nga SPAK, që detyroi policinë e Dubait të rivihet në lëvizje për të arrestuar për herë të dytë, Durim Bamin.
Tashmë Bami mund të jetë në procedurat e një ekstradimi të mundshëm apo riatdhesimi të menjëhershëm, siç ndodhi me rastin e Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, dy njerëzve të grupit të Durrësit të akuzuar për atentatin ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit, Arjan Ndoja.