-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Opozita në Gjeorgji denoncon manipulimin e zgjedhjeve, fillon protestat

Kryesoret

Opozita në Gjeorgji filloi sot protestat pasi Komisioni Zgjedhor nxori fitues të zgjedhjeve të përgjithshme partinë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane. Opozita denoncoi shkeljet në zgjedhje dhe e quajti rezultatin një dhuratë për partinë në pushtet që dëshiron afrimin me Moskën, ndërsa pritet tashmë të vihen në pikëpyetje aspiratat e vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Opozita gjeorgjiane u bëri thirrje mbështetësve për të protestuar ndaj asaj që e konsiderojnë një fitore të dhuruar partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane.

Duke folur përkrah udhëheqësve opozitarë në pallatin presidencial, Presidentja Salome Zourabichvili e quajti rezultatin “krejtësisht të falsifikuar”.

Sipas rezultateve paraprake, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane kryeson me 53.9% të votave, ndërsa Koalicion për Ndryshim ka 11.3% të votave, Lëvizja për Unitet Kombëtar 9.83% të votave dhe Gjeorgjia e Fortë 10.1%. Partitë e tjera morën gjithashtu përqindje të vogla.

Të dielën kanalet lokale televizive shfaqën pamje të përplasjeve fizike pranë një qendre votimi në kryeqytetin Tbilisi, për të cilat thanë se u provokuan nga partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, përfaqësuesit e së cilës mohuan të kenë qenë të përfshirë.

Ndërkohë, rreth një orë larg kryeqytetit, një burrë u filmua duke mbushur kutitë me vota.

Pamjet kaotike shoqëruan zgjedhjet ku gjeorgjianët vendosnin për të ardhmen e vendit të tyre. Në thelb ata votuan nëse vendi duhet të përqafojë Perëndimin dhe Bashkimin Evropian, apo nëse duhet të zhvendosej më pranë Moskës.

Fitorja e partisë në pushtet konsolidon kontrollin e saj mbi të ardhmen politike të vendit tashmë të polarizuar.

“Fitorja është kaq mbresëlënëse dhe e dukshme. Çdo përpjekje për të folur për manipulim, në kushtet e zgjedhjeve elektronike dhe një mjedisi të paprecedent parazgjedhor, është i destinuar të dështojë”, tha Kryeministri Irakli Kobakhidze.

“Jemi të revoltuar me atë që guxoi të paraqesë Komisioni Qendror Zgjedhor. Rezultatet e shpallura nuk reflektojnë vullnetin e popullit gjeorgjian. Këto shifra të dala si rezultat i zgjedhjeve të mbajtura me një sfond të gjerë frikësimi, mashtrimi dhe rryshfeti, për t’iu kundërvënë zgjedhjeve historike dhe tanishme për popullin gjeorgjian”, tha Ana Dolidze, udhëheqëse e koalicionit “Gjeorgjia e Fortë”.

Në epiqendër të debatit gjendet miliarderi dhe themeluesi i partisë “Ëndrra Gjeorgjiane”, Bizdina Ivanishvili.

Ai e ngriti pasurinë e tij në Rusi, por akuzon kundërshtarët e tij politikë se punojnë për fuqi të huaja.

“Ose do të zgjedhim një qeveri që t’ju shërbejë juve, popullit gjeorgjian, shoqërisë gjeorgjiane, atdheut tonë… ose, do të zgjedhim agjentë të një vendi të huaj që përmbushin vetëm kërkesat e një vendi të huaj”, tha zoti Ivanishvili.

Vëzhguesit evropianë ngritën pikëpyetje për procesin zgjedhor, si evidencë e hapave pas për demokracinë në Gjeorgji.

“Ekipet tona të Parlamentit Evropian vërejtën në disa zona tension të lartë, konfuzion dhe kaos. Në një rast pati mbushje të kutive, sulme fizike ndaj vëzhguesve që përpiqeshin t’i raportonin shkeljet. Vëzhguesit dhe mediat nxirreshin nga qendrat e votimit. Ankimimet e vëzhguesve janë grisur. Votuesit janë frikësuar brenda dhe jashtë qendrave të votimit… Për më tepër, nuk u garantua gjithnjë fshehtësia e votës”, tha Antonio Lopez-Isturiz White, drejtues i delegacionit të Parlamentit Evropian.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vuri në dukje se procesi zgjedhor në Gjeorgji u dëmtua nga keqpërdorimi i burimeve publike, nga blerja e votës dhe frikësimi i votuesve. Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për një hetim të plotë të të gjitha raportimeve për shkelje zgjedhore.

Zyrtarë të lartë perëndimorë, si përfaqësuesi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe ministrat e jashtëm të disa vendeve të BE-së, si Gjermania, Norvegjia, Letonia, Polonia, Franca dhe Suedia po ashtu u bënë thirrje autoriteteve gjeorgjiane të hetojnë parregullsitë në zgjedhje.

Nëse rezultati zgjedhor qëndron, partia Ëndrra Gjeorgjiane do të ketë shumicën parlamentare, duke vendosur kështu në rrezik aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ëndrra Gjeorgjiane miratoi këtë vit ligje të ngjashme me ato të Rusisë, për shtypjen e fjalës së lirë dhe shkaktoi protesta në rrugët e vendit./VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit