Në Shqipëri, protesta e radhës e opozitës, u shtri sot në akset qëndrore të rrugëve kombëtare të vendit, duke paralizuar për tre orë, qarkullimin e mjeteve. Opozita ka shpallur prej kohësh mosbindjen civile si një mjet për të kërkuar një qeveri teknike e cila të mund të organizojë “zgjedhje të lira e të ndershme”, ndërkohë që në parlament aksioni i saj synon bllokimin e veprimtarisë normale.
Rugët e hyrjes në kryeqytet, e po ashtu akset kryesore të lëvizjes drejt jugut, veriut dhe juglindjes, qëndruan të bllokuara. Në vendet e njoftuara për protestë, drejtuesë të opozitës vendosën automjetet e tyre, ndërsa atyre iu bashkuan disa qindra mbështetës. Për më shumë se 1 orë gjithshka kaloi qetësisht, por situata shënoi momente tensioni në hyrjen perëndimore të kryeqytetit dhe në daljen e qytetit të Elbasanit, kur policia nisi të bënte thirrje për lirimin e rrugës.
Në Tiranë, pranë vendit të protestës forcat e policisë u rreshtuan me skafandra dhe mburoja duke avancuar drejt rrugës. Një lëvizje e tillë u pa si një shenjë provokimi nga drejtuesit e opozitës të cilat kërkuan me forcë tërheqjen e tyre. Nuk munguan dhe momente të shkurtra përplasjeje, me protestuesit që tentonin të shtynin gardhin e policisë.
Në pjesët e tjera të rrugëve të bllokuara, gjithshka kaloi përgjithësisht e qetë, me episode të vënies së zjarrit grumbujve me goma makinash, apo shkurreve anës rrugëve.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, tha në përfundim të protestës në hyrje të kryeqytetit, se “qëndresa dhe rezistenca jonë do të vazhdojë. Rezistenca jonë do sjellë zgjidhje” tha ai duke theksuar se “qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Ai përsëriti se “mosbindja civile do të vazhdojë. Kthim pas nuk ka”./VOA