Tre orë protestoi opozita mbrëmjen e sotme duke bllokuar gjashtë pika kryesore të qarkullimit të vendit duke shkaktuar kaos me qarkullimin. Në Tiranë tek Kthesa e Kamzës dhe në Elbasan në Bradashesh pati më shumë incidente dhe përplasje me policinë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se sot e gjithë Shqipëria ishte në duart e opozitës dhe paralajmëroi se herën tjetër mund të zhvendosen në Surrel, ku ka shtëpinë kryeministri.
“Dua të falënderoj të rinjtë dhe të rejat, qytetarët që iu përgjigjen ftesës së opozitës në këtë hap të madh të opozitës. Falënderoj edhe qytetarët shqiptarë që shmangen, bënë gjithçka që të shmangen përplasjet.
Sot ka qenë një ditë e zezë për narkoshtetin dhe bandat e pushtetit. Të tmerruar ata kanë sjellë policinë për të intimiduar opozitën.
Rezistenca jonë do të vazhdojë. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqiptarët. Destinacioni i radhës Surreli? Sot e shmangëm, por nuk do ta shmangim gjithmonë” tha ai.