Është tensionuar protesta e opozitës te Kthesa e Kamzës, ku edhe është stacionuar pjesa më e madhe e deputetëve demokratë dhe drejtuesit më të lartë të selisë blu.
Teksa protestuesit janë rrethuar nga efektivë të shumtë të FNSH-së me skafandra, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka është prononcuar për mediat duke kërkuar largimin e policisë nga vendi i tubimit.
Ai është shprehur se nëse policia nuk ikën, turma do të shkojë drejt Surrelit, ku edhe ndodhet shtëpia e kryeministrit Edi Rama.
“Asnjë rrugë tjetër nuk ka. Po nuk larguan në mënyrë urgjente narkopolicët, këta banditë të veshur me uniformë policie”, tha Noka.
Deputeti demokrat Asllan Dogjani u ka kërkuar protestuesve që të shmangin përplasjet me policinë dhe njëherësh u ka kërkuar forcave të rendit që të largohen e të shmangin provokimet.