Deputetja Flutura Açka kritikoi ashpër situatën në Kuvend, duke e quajtur atë qesharake dhe duke kërkuar kthimin e normalitetit. Gjatë fjalës së saj, ajo ngriti shqetësimin për kontejnerët me mbetje toksike që ndodhen në Portin e Durrësit, duke theksuar se ka frikë se ato mund të asgjësohen duke u hedhur në det.
“Ajo që po ndodh është një shfaqje e shëmtuar për shqiptarët. Ju bëni sikur punoni, ndërsa ne po i japim një shfaqje aktoriale të pandershme. Duhet t’i kërkoni ndjesë popullit për këtë situatë që e keni kurdisur,” tha Açka.
Ajo theksoi nevojën për transparencë dhe publikimin e marrëveshjeve, duke kërkuar që proceset të zhvillohen në mënyrë të hapur dhe jo në “zgafellet” e Kuvendit. “Kam frikë se mbetjet në Durrës do të ndotin detin, dhe shumë shpejt shqiptarët do të përballen me një situatë të papranueshme,” përfundoi ajo.