-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Leonard Seferi: E vërteta e turizmit në Shqipëri

Kryesoret

Turizmi në vetvete është një investim multidimensional dhe ndërdisiplinor, ku si pasojë e plotësimit të disa kushteve dhe kritereve një vend arrin të kthehet në atraksion për një apo më shumë lloje klientelash.

INFRASTRUKTURA

Kur themi ndërdisiplinor, duhet të dimë se në radhë të parë vjen një infrastrukturë e shëndoshë, që është obligim i qeverisë qendrore dhe në disa vende, edhe i qeverisë lokale. Gjendja aktuale e infrastrukturës së Shqipërisë lë shumë për të dëshiruar. Marrim parasysh faktin se aksi Tiranë-Shkodër është akoma në nivelet që e kanë lënë qeveria Berisha. Kujtojnë që ky aks është porta e Shqipërisë drejt Evropës Qendrore dhe Veriore. Rruga Shëngjin-Lezhë mbetet problematike gjatë sezonit veror. Rrugët drejt Thethit e Valbonës nuk janë gjithashtu në parametrat për të pritur fluks të madh turistësh. Rruga e Arbrit mbetet akoma problematike pas 12 viteve pushtet të së majtës.

Sot që flasim ka rrezik për rënie gurësh, gjë e cila edhe ka ndodhur në fakt duke lënduar kalimtarë. I vetmi aks që i shërben turizmit në veriun e Shqipërisë, por edhe kontribuon në përafrimin e kombit me anën tjetër të kufirit është Rruga e Kombit e ndërtuar në kohë rekord. Të vetmet investime në infrastrukturën rrugore janë ndërhyrjet në rrugën drejt Vlorës në by-passin e Fierit, por edhe ky aks në fakt ka qenë i ndërtuar në masën më të madhe po nga qeverisja e PD. Aksi Thumanë-Kashar edhe pse me një kosto super të lartë do të kthehet me pagesë. Ky aks gjithashtu detyroi të gjithë banorët e zonës të protestojnë vazhdimisht, sepse u eklipsuan me qëllim për të mbetur jashtë shfrytëzimit të këtij projekti, që kostot i dimë të gjithë se sa të larta kanë qenë. Akset drejt juglindjes gjithashtu mund të thuhet se vetëm janë mirëmbajtur në një farë mënyre, por nuk është bërë asgjë për t’u zgjeruar apo për të rritur kapacitetet. Rruga Tiranë-Durrës po zgjerohet nga një korsi, pasi për vite me radhë ky aks u kthye në makth të qytetarëve.

Ish sheshi “Shqiponja” mbetet akoma me semafor, duke mos ndryshuar pothuajse asgjë nga ajo që ishte, edhe pse qëllimi i mbikalim-nënkalimeve është të shmangin pritjet në semaforë. Rruga dytësore Plepa-Golem është gjithashtu një makth për pushuesit gjatë verës. Aeroporti i Kukësit pothuajse nuk ka fluturime fare. Edhe pse u shit si diçka që do të rriste të ardhurat për vendësit, por edhe mund të kontribuonte për rikthimin në vendlindje të emigrantëve, sot aty punon vetëm duty-free. Avioni që kryeministri e mbushi në Tiranë dhe e shiti sikur ishin kuksianë sot është pa drejtim. I vetmi investim që është bërë mund të konsiderohet zgjerimi i kapaciteteve të aeroportit të Rinasit, me qëllim për të stimuluar fluturimet low-cost, por edhe kjo gjë kthehet në ‘boomerang’ në rast se mungojnë mbështetjet e në forma të tjera në infrastrukturë.

SHËRBIMET DHE KRAHU I PUNËS

Shërbimet mbeten një problem tjetër serioz, që turizmi në Shqipëri po përballet. Mungesa e krahut të punës që ka ardhur si pasojë e një largimi të tejskajshëm i krahasuar me Sirinë që ka shumë vite që është në gjendje lufte, ka sjellë mungesë të theksuar të krahut të punës. Rritja e menjhërshme dhe e pa parashikueshme për të cilën do flasim edhe më poshtë ka kapur vendin tonë të papërgatitur edhe në kontekstin e përgatitjes me arsim profesional të duhur njerëzit që mund të kontribuojnë në këtë industri. Krahu i punës, edhe pse mëtohet se po zëvendësohet me punonjës nga Nepali apo Bangladeshi, është vënë re se edhe ata punonjës përdorin ardhjen në Shqipëri si trampolinë për të shkuar në vendet e zhvilluara europiane, gjë e cila e lë sërish në kolaps shërbimin në Shqipëri.

INVESTITORËT STRATEGJIKË DHE INVESTIMET E TJERA

Investitor strategjik janë kthyer gaztorë të “Portokallies” dhe bashkëshorti i Olta Xhaçkës çka i bën mbi të gjitha joprofesionistë. Më e keqe akoma është se vrasin kulturën e konkurrencës së ndershme dhe sjell largimin e të rinjve (por jo vetëm) sepse nuk shohin më shpresë në këtë vend.

Flitet për Paketën e Maleve, gjë e cila ka tubuar të gjithë personat me prirje partiake të caktuar për t’i dhënë vrull ndërtimit të shtëpive 5-katëshe me beton në mes të Valbonës apo edhe në vende të tjera malore, duke prishur aurën e turizmit malor dhe duke e kthyer në një getto, që për pak vite nuk do të jetë më në listën e atyre që sot e vizitojnë me shumë kërshëri. Në vend të saj mund t’u kërkohej investitorëve kritere si ndërtim me gur dhe jo më shumë se 3 kate, ku secili të detyrohej t’i jepte atmosferë tradicionale.

TRANSPORTI NDËRQYTETAS, GUIDAT, BILETARIA DHE MUZETË

Transporti ndërqytetas ka qenë shumë problematik duke mos u krijuar mundësinë turistëve të lëvizin, sidomos në orët e vona. Kemi lënë që turistët të humbasin maleve dhe jemi detyruar t’u çojmë helikopterë me kosto të larta për buxhetin e shtetit në vend se të nxjerrim një udhëzues nëpërmjet të cilit ata obligohen të kenë shoqërues vendor që dinë shtigjet.

Në shumë vende të rëndësishme, përfshirë edhe Butrintin, nuk ka funksionuar sistemi i biletarisë. Muzeu Kombëtar i është nënshtruar restaurimit dhe thuhet se do zgjasë shumë, çka e vështirëson gjithashtu elementin që disa njerëz mund të shohin në zemër të Tiranës dhe në vend të saj i është dhënë prioritet Bunk Art 1 dhe 2, të cilat menaxhohen dhe shfrytëzohen nga Carlo Bollino. Pra, prapë kemi fuqizim oligarkësh pa konkurrencë, në vend të bizneseve më të vogla e me konkurrencë.

PO SHIFRAT?

Shumë njerëz po bien pre e propagandës që qeveria luan nëpërmjet numrave, ku ka disa problem edhe në lidhje me raportimin e turistëve. Duke qenë se kemi rritur numrin e fluturimeve “low coast”, ka shumë shtetas nga rajoni që përdorin aeroportin tonë për udhëtimet e tyre drejt vendeve të tjera. Qeveria i përllogarit të gjithë si turistë, çka i bën shifrat e larta ndoshta propagandistike të mos përputhem me përfitimet ekonomike të vendit.

Përveç udhëtarëve transit, që ne i konsiderojmë si turistë, ne nuk kemi as formularë në pikat kufitare hyrëse ku të ndajmë qëllimet e hyrësve. Disa të tjerë vijnë për vizita 1- ditore ose më pak, fjala bie nga Korfuzi drejt Sarandës ose hynë në Kapshticë e dalin në Muriqan apo Morinë dhe anasjellas, në kuadër të tureve ballkanike, që janë thjesht vizitorë, ku me shumë gjasa as drekë nuk konsumojnë këtu dhe qeveria mburret se ka rritur turizmin. Edhe hyrjet e zyrtarëve të lartë apo kabinetit qeveritar drejt vendit tonë pas vizitave ndërkombëtare ne i konsiderojmë turistë. Demokratët apo opozitarët që vijnë nga jashtë vendit për protesta kundër pakënaqësive qeverisëse, ne i konsiderojmë turistë. Emigrantët gjithashtu i konsiderojmë turistë. Turqia është vend transit i më shumë se 240 milionë udhëtarëve në vit, por përllogarit si turistë vetëm 40 milionë, pra i ndan nëpërmjet formularëve të ndryshëm. Sipas raporteve të BE-së, Shqipëria ka ujin më të ndotur në Europë me pastërtinë vetëm 41.2%, ndërkohë që vende si Austria, Kroacia apo Greqia e kanë mbi 95% nivelin e pastërtisë së ujërave. Vetëm një plazh me “blue flag” kemi ne, edhe ai është privat, ndërkohë që vendet që ne synojmë t’i konkurrojmë kanë shumë më shumë se ne.

PO PSE SHQIPËRIA INVESTON MILIONA DOLLARË PËR TË DALË NËPËR GAZETAT E HUAJA SI MALDIVET E EUROPËS?

Është e qartë që të gjitha këto investime mediatike bëhen që ato pak qytetarë që kanë mbetur në Shqipëri tashmë pas gjithë këtij eksodi shpopullimi, të asfiksohen para ekraneve televizive dhe të mendojnë se këtu nuk ka vetëm vjedhje inceneratorësh, nuk ka vetëm “5D”, nuk ka vetëm papunësi, por gjoja na mbytën turistët e huaj. Si erdhi në fakt ky numër turistësh? E vërteta është se gjatë pandemisë Shqipëria ishte ndër vendet e para që doli nga vija e kuqe e COVID-19 për shkak edhe të popullsisë së vogël që ne kemi.

Ky fakt trazoi shumë njerëz dhe krijoi një kureshtje të bashkuar në detyrim (Sepse vende si Turqia, Egjipti apo edhe Italia ishin shumë keq me shifrat e COVID-19) për t’u çliruar nga burgosja shtëpiake që solli COVID, erdhën në Shqipëri, ku sigurisht u mahnitën me bukuritë natyrore, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shërbimet apo facilitetet e tjera që u përmendën në këtë shkrim. Si vend i mbyllur nga regjimi komunist për gjysmë shekulli, Shqipëria ishte vendi më i paeksploruar në Europë. Ky fakt gjithashtu rriti numrin e atyre që deshën të vizitojnë vendin tonë. Fakti se ne jemi gjetur totalisht të papërgatitur është dëshmi se turizmi nuk kishte një plan konkret, por ishte dhuratë që s’e di sa do jemi të gatshëm ta mbajmë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit