Kanë kaluar disa ditë dhe ende nuk ka asnjë të arrestuar për atentatin me 4 viktima në Shkodër, dy prej të cilëve të pafajshëm. Mister nuk janë vetëm autorët por edhe fakti që policia ka dyshime të forta që Ibrahim Lici ka qenë i pranishëm në makinën tip “Benz” që iu bë atentat më 30 Tetor në Dobraç e ku mbeti i vrarë mes disa personave edhe vëllai i tij, Hamza Lici.
Dyshimet janë përforcuar edhe më shumë pasi në disa pamje të tjera shfaqet një djalë i ri duke i dhënë ndihmën e parë Hamza Licit. Por deri më tani nuk ka asnjë konfirmim nëse personi në fjalë është apo jo Ibrahim Lici. Rezultatet e analizave të materialeve biologjike nuk kanë mbërritur akoma.
Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle edhe në disa klinika private, por pa sukses. Kjo për arsye se hetuesit dyshojnë se ai mund të ketë mbetur i plagosur dhe të ketë kërkuar ndihmë mjekësore. Nga atentati në Dobraç të Shkodrës humbën jetën Hamza Lici dhe Arlind Bushati të cilët udhëtonin me një makinë tip “Benz” me targa kroate.
Pas të shtënave që zgjatën për rreth 300 metra, Lici dyshohet se humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një motor ku udhëtonin çifti Bashkim e Flutura Basha. Gruaja humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshorti i saj u nda nga jeta pas 5 ditësh betejë me vdekjen.