Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të Serbisë për të mos dënuar Aleksandar Vulin, ish-ministrin e Mbrojtjes, aktualisht zëvendëskryeministër i Serbisë, për deklaratat e tij të cilësuara si diskriminuese dhe denigruese ndaj shqiptarëve.
Mustafi theksoi se, “kur Gjykata Supreme e Serbisë me firmën e gjyqtares Dragana Marinkoviç, zgjedh ta mbyllë sytë ndaj diskriminimit flagrant dhe gjuhës denigruese të Aleksandar Vulin, nuk bën asgjë tjetër veçse nxjerr në pah një realitet të hidhur: sistemi i drejtësisë në Serbi vazhdon të jetë peng i politikës” tha ai.
Mustafi e vuri në pah përdorimin e termit “shqiptari” nga Vulin, duke e cilësuar atë si një përpjekje për “të ulur dinjitetin e shqiptarëve, për t’i përjashtuar, për t’i kriminalizuar dhe për t’i çuar në një ndarje të thellë etnike.”
Ai kritikoi vendimin e gjykatës, që në vend se të ndëshkonte gjuhën denigruese, e ka mbrojtur atë. “Vendimi i Gjykatës Supreme e çon këtë çështje pranë Gjykatës Kushtetuese të Serbisë,” deklaroi Mustafi, duke theksuar se pas këtij hapi, rasti do të dërgohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, siç tha ai, “për të kërkuar atë që na mohohet sot në Serbi”.