Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, zhvilloi një takim me Ann Fransen, Drejtuesen e Prokurorisë Federale të Belgjikës, ku diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Në një postim në rrjetet sociale, Manja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet qeverive, ministrive dhe agjencive të zbatimit të ligjit të dy vendeve, për të forcuar përpjekjet për ndjekjen e krimeve të rënda dhe trafikut ilegal.
Postimi i plotë:
Diskutuam për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy qeverive tona, ministrive dhe agjencive të zbatimit të ligjit për të forcuar përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Si ish-Prokuror dhe Ministër i Drejtësisë, ishte kënaqësi të dëgjoja nga miqtë belgë vlerësimin më të lartë për profesionalizmin, integritetin dhe punën e kolegëve të tyre në SPAK, në luftën kundër krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme. E sigurova znj. Fransen për përkushtimin tonë të palëkundur në ofrimin e ndihmës juridike reciproke dhe mbështetjen e hetimeve penale.
Shqipëria mbetet e angazhuar për një sistem drejtësie të fortë dhe për një shoqëri më të sigurt, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.