Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të premten se shpreson se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do t’i thotë Izraelit ta “ndalë” luftën.
Ai tha se një “fillim i mirë” do të ishte duke e ndërprerë furnizimin e Izraelit me armë nga SHBA-ja
“Trump ka dhënë premtime për t’u dhënë fund konflikteve… ne duam që ai t’i mbajë këto premtime dhe që t’i thotë Izraelit ‘ndalu’”, tha Erdogan për gazetarë duke u kthyer nga Budapesti.
“Fillim i mirë do të ishte që Trump ta ndërpresë mbështetjen me armë për Izraelin, në mënyrë që të ndalet agresioni i Izraelit në tokave palestineze dhe libaneze”, tha ai.
Turqia i ka kritikuar ashpër ofensivat ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës dhe në Liban, si dhe e ka ndërprerë tregtinë me Izraelin.