Shkencëtarët në Universitetin Shtetëror të Oregonit kanë paralajmëruar se bota ka hyrë në një fazë të re dhe të paparashikueshme të krizës klimatike, duke theksuar se ngjarjet ekstreme të motit mund të bëhen edhe më të shpeshta dhe të fuqishme. Sipas raportit të fundit, që po shoqërohet me një rritje të ngjarjeve dramatike, mund të presim uragane më të fuqishme dhe thatësira të rënda.
Një shembull i qartë ishte uragani Helene, që goditi një zonë të papritur si Asheville, Karolina e Veriut, duke shkaktuar përmbytje dhe të paktën 42 viktima. Jillian Gregg, bashkëautore e studimit, theksoi se ky ishte një fenomen i paimagjinueshëm deri tani për këtë rajon, që për shumë vite konsiderohej si një strehë natyrore nga stuhitë.
Raporti i shkencëtarëve vë në dukje se bota është në prag të një emergjence klimatike të pakthyeshme, dhe ngjarje të tilla si valët e nxehta, uraganet dhe përmbytjet tashmë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Ndërkohë, vendet dhe kompanitë po përpiqen të gjejnë mënyra për të luftuar këtë fenomen, duke investuar në burime të rinovueshme të energjisë dhe duke zvogëluar përdorimin e lëndëve djegëse fosile.