Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur në qytetin e Ferizajt, ku një 59-vjeçar ka sulmuar me thikë katër kalimtarë të rastit, duke përfshirë dy vajza të moshës nën 18 vjeç dhe dy meshkuj të moshave 29-32 vjeçare. Sulmi ka ndodhur në tri rrugë të qytetit: “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”, të hënën pasdite, rreth orës 15:40.
Sipas dëshmive dhe raportimeve të policisë, autoritetet e Kosovës thanë se 59-vjeçari, identifikuar si E.S., ka therur katër persona me thikë në rrugët e larta të qytetit. Dy nga viktimat janë vajza të moshës nën 18 vjeç, ndërsa dy të tjerët janë meshkuj të moshës 29-32 vjeçare. Ata ishin kalimtarë të rastit, pa ndonjë lidhje mes tyre ose me sulmuesin.
Në mesin e viktimave është një vajzë 10-vjeçare, e cila është dërguar urgjentisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Sipas drejtorit të Emergjencës, Naser Syla, gjendja e vajzës është e stabilizuar dhe për momentin është jashtë rrezikut për jetë. Ajo ka kaluar në sallën e operacionit për trajtimin e lëndëve të saj, por është në gjendje stabile.
Dy të plagosurit tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe për momentin janë në gjendje stabile, ndërsa njëri prej tyre po ndodhet ende në repartin e ri-animacionit.
Policia ka reaguar menjëherë pas sulmit, duke nisur një operacion për kapjen e autorit. Pas një periudhe kërkimi intensiv, autoritetet arrijnë ta identifikojnë dhe ta arrestojnë E.S., të moshës 59 vjeçare, në rrugën “Besim Rexhepi”, afër një qendre tregtare. Ai është shoqëruar në stacionin e policisë për intervistim dhe hetime të mëtejshme.
Policia ka sekuestruar një thikë të mprehtë që dyshohet se është përdorur nga sulmuesi për të shkaktuar plagosjen e viktimave. Ekipet hetimore dhe krimteknikët rajonalë kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të verifikuar motivin e mundshëm të sulmit.